E Diel, 1 Nëntor 2026

Oficerët e raketave,ushtarakët që po shuhen nën moshën 55 vjeç nga rrezatimi



Afrim Imaj

Mjeku Spiro Mëhilli ka shërbyer për shumë kohë në laboratorin special të Spitalit Ushtarak. Ka pak vite që ka dalë në pension dhe i është kthyer pasionit të dikurshëm, letërsisë. E ka nisur me tregime e novela, për të shkuar te botimi i romaneve. Së fundi, vazhdon të hedhë në letër përjetimet nga koha kur ushtronte radiobiologun. Nuk vuan maninë e nostalgjisë, po kërkon të ndriçojë kujtimet e hershme nga dritëhijet e kohës, me bindjen se është momenti për të pohuar ato që nuk u thanë dikur. I përkushtuar ndaj tyre, mjeku-shkrimtar vazhdon të konturojë një retrospektivë interesante me fakte, ngjarje, madje edhe drama të panjohura, ku e vërteta dhe betimi i Hipokratit, marrin shenjtërinë e biblës. Gjithçka fillon nga çasti kur veshi bluzën e bardhe në roje të shëndetit të njerëzve të kërcënuar nga rrezet vdekjeprurëse. Për vite me radhë, radiobiologu i njohur bëri të pamundurën për të shpëtuar jetën e tyre. Pati sukses e bëri emër në profesion, por jo çdo gjë shkoi mbarë. Fakti që përballja pati viktima, shtonte dita ditës dilemat tunduese. Brengën e bënte më lënduese shpërfillja e zyrtarëve të kohës. Pikërisht aty, sipas profesor Mëhillit, “flinte” thelbi i dramës dhe merrte udhë një histori e trishtë. Në të vërtetat e hidhura të retrospektivës së tij, fati i oficerëve të raketave, që u shuan në efektin e rrezeve jonizuese, përbën kapitullin më të dhimbshëm të saj. Në rrëfimin për “Panorama” ish radiobiologu i njohur sjell një pjesë të kësaj tragjedie, duke rikujtuar kronologjinë e përballjes me pasojat e rrezatimeve vdekjeprurëse...
Zoti Spiro! Një dokument i Spitalit Ushtarak i viteve 70, ka të pasqyruar apelin tuaj për rrezikun që kërcënonte shëndetin e oficerëve të raketave. Në qoftë se nuk reagohet, shpreheni aty, nga dita në ditë, jeta e tyre rrezikohet seriozisht. çfarë kishit parasysh me këtë ndërhyrje?
Në atë periudhë unë kam qenë mjek i thjeshtë në laboratorin special të Spitalit Ushtarak. Në përgjithësi puna ime si mjek radiobiolog fillonte e mbaronte brenda institucionit me analiza e epikriza mjekësore, me plotësimin e kartelave dhe me eksperimentime të ndryshme të fushës së radioaktivitetit. Nuk e kam parasysh dokumentin në fjalë, por më kujtohet që për çështje të tilla debatonim shpesh me kolegë të ndryshëm. Në fund të fundit, destinacioni i laboratorit për këtë qëllim ishte...
Pra, kishte një laborator special në Spitalin Ushtarak që merrej me ecurinë e shëndetit të ushtarakëve të raketave...
Ky laborator nuk ishte vetëm për ushtarakët e raketave. Ai kishte tre sektor kryesor. Sektorin e toksikologjisë të destinuar për mbrojtjen nga lëndët helmuese. Atë të radiobiologjisë që merrej me ndikimin e rrezatimit jonizues dhe pluhurit radioaktiv në organizmin e njeriut dhe sektori i bakteriologjisë që përfshinte profilaksinë nga mikrobet e sëmundjeve ngjitëse si kolera, plasja, lija etj. Laboratori përfshinte një gamë të gjerë çështjesh që i kapërcenin kufijtë e ushtrisë. Bashkë me ushtarakët që shërbenin në objekte e teknikë rrezatuese, aty trajtohej personeli i onkologjisë që punonte me kobalto-terapi, ai i radiologjisë, punonjësit e Institutit të Fizikës Bërthamore, etj. Laboratori funksiononte për tu paraprirë rreziqeve permanente në mjediset me radioaktivitet. Për shumë vite, kishim dhe një sektor shkencor që merrej me eksperimentime në kafshë (qen, lepuj, minj,etj) për të parë efektin dëmtues të rrezatimit radioaktiv. Në kujtesën time ruaj të freskët kontributin e mjaft specialistëve që ishin personalitete të fushës e tyre, ku një vend të veçantë ka roli i kreut të laboratorit Bexhet Rifatllari i cili ishte kualifikuar në Leningarad për radiobiolog dhe për toksikolog.
çfarë konstatuat gjatë inspektimit në repartet e raketave që dhatë sinjalin e rrezikut?
Gjithçka e pamë me sy dhe e prekëm me dorë gjatë një kontrolli rutinë në Bazat e Raketave. Në mos gabohem ishte aty nga mesi i viteve 70. Me instrumentin e radiometrit bëmë matjen e nivelit të rrezatimit në kabinat e shërbimit fillimisht jashtë regjimit të punës. Nivelet rrezatuese jonizuese ishin relativisht të vogla. Pastaj bëmë matjet gjatë funksionimit të aparaturave. Rezultati? Niveli shumë i lartë i rrezatimit, nxori jashtë funksionit instrumentin e radiometrit. Kjo ishte befasuese për ne që deri në atë kohë rreziqe të tilla i njihnim vetëm teorikisht. Puna në këto kushte parakuptonte risk goxha të rëndë, që bëhej më dramatik nga prezenca e rrezatimit elektro-manjetik për të cilin nuk dispononim aparatura matëse.
Përballë kësaj gjendje, cilat ishin rekomandimet tuaja për ti paraprirë rreziqeve që shfaqnin për shëndetin e ushtarakëve rrezatimet jonizuese?
Në mënyrë urgjente u bë kontrolli i parametrave shëndetësor i personelit. Pjesa që rezultoi me simptoma të ndryshme i tërhoqëm për mjekim të specializuar në spital. Më tej,në bashkëpunim me sektorët përkatës të ministrisë së Mbrojtjes, vendosëm paketën mbrojtëse që përfshinte reduktimin e periudhës së punës në pesë orë, pushimin aktiv 30 ditë në vit, trajtimin me ushqim suplementar falas. U vendos kontrolli mjekësor çdo gjashtë muaj i personelit. Për secilin prej tyre u hapën kartela të veçanta. U ngrit komisioni për përpunimin e instruksioneve teknike gjatë punës në aparatura etj
Pas këtij trajtimi, a pati përmirësim të gjendjes së shëndetit të oficerëve të raketave?
Mbaj mënd që vitet e para ku u kërkua zbatimi rigoroz i këtyre masave, nuk pati shqetësime. Mirëpo ndodhi që kjo nuk vazhdoi gjatë. E para, u cungua dieta e ushqimit. E dyta, u prish rregulli i kontrolleve periodike...
Për një specialist të radiobiologjisë, cilat janë rreziqet gjatë punës në mjedise rrezatuese?
Në rastin e ushtarakëve të raketave, risku kushtëzohet nga ekspozimi i katërfishtë i rreziqeve që vijnë nga kontakti me rrezatimet jonizuese të jashtme, ato të brendshme, nga kontakti me rrezatimin elektro-magnetik dhe avujt helmues të pranishëm me shumicë në karburantet speciale dhe pjesët luftarake të raketave.
çfarë pasojash sjellin këto për shëndetin?
Leucemi, anemi plastike, kancerin e kockave, atë të tiroides, të mëlçisë, mushkërive etj...
A mund të evitohet 100 për qind rreziku i dëmeve nga radioaktivitetit?
Te njerëzit që punojnë në mjedise me rrezatim, risku është i pashmangshëm. është provuar shkencërisht se ata që operojnë në kushte të tilla jetojnë 10 vjet më pak nga të tjerët. Në çfarëdo rrethane mbrojtëse, nuk mund të sigurohet steriliteti maksimal. Prandaj parakupton trajtim të veçantë dhe special ndaj njerëzve që kanë në përdorim të tilla aparatura...
A ka pasur ndonjë studim për situatën e shëndetit të oficerëve të raketave dhe si pritej nga udhëheqja e ministrisë rekomandimi i specialistëve?
Studim të mirëfilltë me këtë objekt, me sa di, nuk ka pasur. Pastaj në diktaturë çështje të tilla “të nxehta” pas të cilave nënkuptohej cenimi i gjendjes moralo-politike, destinoheshin vetëm për dosje “Tepër sekret”. Fati i tyre rezervohej për zyrat e fshehta dhe grupin e ushtarakëve fatkeq që shuhej përditë në efektin e rrezeve. Kam punuar gati 27 vjet në atë laborator dhe nuk kam marrë vesh asnjëherë një përpjekje zyrtare serioze për këtë çështje. Gjërat kalonin në heshtje dhe funksionarët e dashuruar me propagandën farse “Njeriu,kapitali më i çmuar” mjaftoheshin me pjesëmarrjen në kortezhin e ushtarakëve që shuheshin në efektin e rrezeve.
Armë të tilla kanë gati të gjitha ushtritë, me çfarë profilaksie ja dalin të tjerët?
Mbi të gjitha bota e qytetëruar është duke ju larguar këtij rreziku nëpërmjet përmirësimeve teknologjike, që parakuptojnë rinovimet me teknikë moderne me nivele relativisht shumë të ulëta rrezatimi. Nga ana tjetër, vendosja e një profilaksie shkencore me masa rreptësishtë të zbatueshme, ka sjellë një situatë më të monitorushme, që i ka paraprirë rreziqeve evidente.
Ne kemi përjetuar një gjendje kritike, ndër të tjera, dhe për një fakt tjetër: Kryesisht aparaturat radiollokative i kemi marrë nga Bashkimi Sovjetik dhe Kina. Ka ndodhur që sa i kemi tërhequr nga këto dy vende, janë prishur marrëdhëniet. Në këtë situatë, personeli shqiptar nuk pati mundësinë reale për të bashkëpunuar me specialistët e huaj për t’i paraprirë situatës me masa mbrojtëse. Instruksionet e para në kushtet e mosnjohjes së plotë ishin të cunguara. Më shumë rendej për njohjen dhe përdorimin për luftë të këtyre armëve se për masat mbrojtëse nga rrezatimet e tyre...
Pra, në kushtet tona duhet thënë se jemi ende të ekspozuar para rreziqeve evidente...
Me sa di unë këto lloj aparaturash, realitetet e reja i kanë nxjerrë në “pension”. Pra, janë vetëm gjendje inventari. Shqetësim mbetet shëndeti i ish-ushtarakëve që vuajnë pasojat e sëmundjeve të mbartura nga koha e shërbimit pranë tyre. Ka kosto të lartë mjekimi i tyre. Me sa jam në dijeni pensioni i parakohshëm që marrin është i pamjaftueshëm. Duhet rikthyer vëmendja ndaj tyre. Aktualisht bëhet fjalë për një komunitet që nuk i kalon 150 veta...
Po komunitetet e tjera ushtarake, veç atyre të raketave a kanë qenë të ekspozuar para një rreziku i tillë?
Të ekspozuar si dhe personeli i raketave ka qenë personeli i postave radioteknike dhe atyre radillokative, punonjësit e uzinave të aviacionit dhe bazës së nëndetëseve. Gjithsesi, ashtu siç e trajtuam më lart për vet specifikën risku më i lartë ka qenë në rastin e personelit të raketave. Siç po e vërteton koha, aty është bërë dhe dëmi më i madh.

Drama e panjohur e oficerëve të raketave, jetojnë më pak se 60 vjeç

Ka raste që vëzhgime spontane zbulojnë fakte të rëndësishme. Gjatë një hulumtimi në dosjet e kuadrit, në fundin e viteve 80, Rrapi Goreja, shefi i personelit të njësisë së raketave, konstatoi një të dhënë rrëqethëse: Shokët e armës së tij nuk jetonin përtej të 55-tave! Nxitoi të njoh me të eprorët e lart, po u këshillua të heshtë. Logjika e kohës nuk lejonte legalizimin e lajmit tronditës. Ndryshe, fillonte paniku dhe cenohej gjendja moralo-politike(!). Sidoqoftë, Goreja nuk u mjaftua me kaq. Bashkë me mjekun e repartit, ju rikthye statistikave, por shifra 55, mjerisht nuk kishte ndryshuar. Pastaj kërshëria e shtyu të shfletojë kartelat mjekësore. Ajo që mësoi aty ishte shokuese. Kryefjala e çdo epikrize për rastet tragjike: Kancer! “Pavarësisht shtjellimit të ekspertëve, sqaron Goreja, në thelb të gjitha vdekjet pasonin nga e njëjta diagnozë, kancer në mëlçi, në organet e frymëmarrjes, kancer i kockave, leucemi etj.” Ish shefi i personelit e ka peng që s’mundi të jap “Sos”-in për shëndetin e kolegëve. “Ndoshta mund të bëhej diçka”, shprehet ai duke kujtuar faktin që shifra “55”, me kalimin e viteve, filloi të zbres në “54”, madje dhe “53”. Një ditë të bukur diagnoza e tmerrshme ju turr pabesisht dhe atij. Për vite me radhë u kacafyt me leuceminë kobndjellëse. Fal zotit, shprehet Goreja, mbijetova, i bindur se pa përkushtimin dhe vullnetin e jashtëzakonshëm të mjekut Spiro Mëhilli nuk do të kishte një fat të tillë. Po nuk ndodhi kështu me dhjetëra të tjerë. Statistikat e ish shefit të personelit pohojnë se vetëm dekadën e fundit kanë ndërruar jetë mbi 20 syresh. Kjo, sipas tij, është pjesa e dhimbshme e dramës, por jo e tëra. Mjaft ish kolegë, vazhdojnë të përballen me sëmundjen e rëndë nga njëra klinikë te tjetra. Të braktisur në fatin e tyre, me pensionin e parakohshëm 15000 lekë në muaj, i luten zotit tu falë jetë.

Pengu i Pëllumb Gjondedës
Në një nga ditët e ftohta të janarit, trokiti në redaksi komandanti i raketave, Pëllumb Gjondeda. Sa ishte kthyer nga ceremonia mortore e njërit prej vartësve të tij dhe dukej i shqetësuar. Sot përcollëm Spartak Mingën, u shpreh i përlotur, njërin nga djemtë më të mirë të armës. Vitin e kaluar Agimin, para dy muajsh një tjetër. Ikin të rinj, fare të rinj. Pastaj mori frymë thellë dhe nxori nga xhepi një listë të shkruar me dorë. Shikojeni vëllezër, shtoi i përlotur, janë emrat e 24 oficerëve që janë shuar 10 vitet e fundit. Të gjithë me kancer. Koloneli fliste dhe herë herë humbiste rrjedhën e mendimeve. Diku nga fundi, përmendi arsyen e takimit. “Duhet shkruar diçka për tragjedinë e tyre” sugjeroi dhe u largua me supet e kërrusura. Vetëm pesë minuta folëm atë pasdite me Gjondedën. Pezmi i tij na vuri në lëvizje. Trokitëm në fillim te njësia e raketave, pastaj te Spitali Ushtarak. Hapëm dokumentat. Shfletuam regjistrat e kohës. Statistikat që pohonin pengun e tij, zbulonin të tjera fakte rrëqethëse. Nxituam të takojmë komandantin për të riformatuar historinë. Po koloneli nuk kishte pritur. Kishte ikur befasisht. E kishte sulmuar sëmundja e rëndë dhe ishte shuar si qiriu. Në pak javë, në pak ditë. Kishte shkuar të pushonte në paqe pranë kolegëve të shuar në efektin e rrezeve. Na thanë se lamtumira e tij ishte bërë në shtëpinë e oficerëve. Se komandanti i raketave pas 30 viteve në detyrë, nuk mundi të merrte shtëpi në Tiranë. Deri në çastet e fundit jetoi në një kioskë llamarine afër Shkollës së Bashkuar.

Ushtaraket e vdekur 2000-2010

Pëllumb Gjondeda 57 vjeç
Spartak Minga 42
Safet Malaj 59
Thoma Gjylameti 56
Jovan Buli 37
Mersin Baxhaku 51
Avdo Thanasi 59
Abas Kasa 47
Agim Stojku 45
Qerim Katroshi 50
Ramiz Qerimi 52
Gani Peli 55
Shyqyri Peli 50
Todi Perriu 30
Thoma Jorgji 49

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›