E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, "zinxhir" reagimesh kundër masave ekonomike

Greqia është goditur nga greva 24 orëshe e transportit publik, duke shënuar edhe protestën më të fundit, si reagim ndaj masave shtrënguese të kursimit të ndërmara nga qeveria. Të mërkurën, ekzekutivi grek propozoi masa të reja, përfshirë shkurtimet në pensione, me qëllim marrjen e këstit të ri nga Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, që do ta ndihmonte atë të shmangte moslikuidimin e borxhit. Athina është bllokuar e tëra, pasi metrotë, tramvajët, autobusët dhe taksitë kanë ndaluar punën. Vonesa dhe ndërprerje janë shënuar edhe në komunikacionin ajror. Sindikatat e sektorit privat dhe publik kanë paralajmëruar më shumë greva në muajin e ardhshëm.Punonjësit e transportit protestojnë kundër regjimit të dispozicionit, (për punonjës me moshë të shkuar dhe rendiment të ulët), që vendosi qeveria. Ata argumentojnë se personeli i kompanive të tyre është reduktuar në mënyrë drastike, pas transferimeve që u kryen në kuadër të riorganizimit të komunikacionit urban të Athinës. Kjo grevë është vetëm fillimi, pasi në vijim do të ketë dhe mbledhje tjetër të sindikalistëve dhe tendenca është që të merret vendim për greva të përsëritura 24 orëshe. Ndërkohë taksistët vazhdojnë të protestojnë kundër liberalizimit të profesionit të tyre, që deri tani ishte i mbyllur. Grevë 24 orëshe ka paralajmëruar edhe federata e mësuesve të Greqisë.
Së fundi një grevë 4 orëshe do të zhvillojnë punonjësit e autoriteteve lokale.
Ndërkaq në takimin e përbashkët që zhvilluan të mërkurën sindikatat e punonjësve të sektorit publik dhe atij privat, u vendos të shkohet në protesta të reja më 5 dhe 19 tetor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›