E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vetëvendosje” kundër EULEX, sulm makinave

 

Lëvizja “Vetëvendosje” ka protestuar dje kundër nënshkrimit të Protokollit mes EULEX-it dhe Serbisë, duke shkatërruar rreth 28 makina të misionit evropian në Kosovë. Policia e Kosovës pohoi se në parkingun qendror të Prishtinës, gjatë një aksioni të Lëvizjes “Vetëvendosje”, janë dëmtuar 28 vetura të EULEX-it, ku më pas policia ka arrestuar 21 persona. Nënshkrimi i Protokollit mes Serbisë dhe EULEX-it ka irrituar edhe autoritetet në Kosovë, të cilët kanë mësuar mbi marrëveshjen në rrugët mediatike, pasi Kosova nuk ishte ftuar në këtë diskutim, dhe as ishte njoftuar për të. Takimi që kërkoi me urgjencë kreu i EULEX-it, Yves de Kermabon, me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrin Thaçi, nuk dha rezultatet që ai priste. Të rinjtë e “Vetëvendosjes” kanë reaguar pas deklaratës së një dite më parë të ministrit serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç, i cili tha se reagimi i Kosovës nuk mund të pengojë nënshkrimin e protokollit, sepse Serbia dhe EULEX-i e kanë nënshkruar një marrëveshje që i lejon të miratojnë të tilla protokolle. Rreth orës 11:00 të mëngjesit të djeshëm, dhjetëra vetë, anëtarë të “Vetëvendosjes”, dëmtuan makinat duke i rrokullisur dhe duke i goditur me sende të forta. Misioni i EULEX-it përmes një komunikate me shkrim e ka dënuar rëndë këtë akt. “EULEX-i vlerëson përgjigjen e shpejtë dhe efikase të policisë së Kosovës, dhe mbështet idenë e protestave paqësore si një element i rëndësishëm në cilëndo shoqëri demokratike, por shkaktimi i dëmit kriminal nuk i çon përpara interesat apo argumentet e cilitdo prej protestuesve të tillë”, thuhet në reagim. Veprimet janë dënuar edhe nga institucionet e Kosovës. Presidenti Sejdiu tha se secili në Kosovë e ka të drejtën e reagimit dhe veprimit normal, por zhvillimet e sotme ishin të papranueshme. “Secili ka të drejtë ta thotë fjalën e vet. Për ne është me rëndësi që institucionet e vendit do ta thonë fjalën e vet dhe e kanë tepër të qartë. Ne do të bashkëpunojmë shumë thellë me EULEX-in”, tha ai. Një nga aktivistët e “Vetëvendosjes”, Glauk Konjufca, pohoi se qëllimi i këtij aksioni ndërlidhet me vetë misionin e EULEX-it, i cili, sipas tij, është vendosur në Kosovë me lejen e Beogradit. Presidenti Sejdiu ka përsëritur se Kosova është kundër nënshkrimit të protokollit ndërmjet EULEX-it dhe Beogradit, duke i anashkaluar institucionet e Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›