Greqia paralizohet nga greva 24 orëshe
Unioni Grek i Shërbimeve civile "ADEDY'' ka nisur një grevë 24 orëshe në shkallë kombëtare. Greva e nisur që në orët e para të së mërkurës, është një formë proteste ndaj masave të ashpra të marra nga qeveria greke për daljen nga kriza. Greva kombëtare ka përfshirë më së shumti sistemin ajror dhe atë tokësor të transportit. Kështu psh aeroporti ndërkombëtar i Athinës është pothuajse i gjithi i boshatisur, duke qenë se të gjitha udhëtimet janë anuluar. Janë të paktë turistët që janë bllokuar në aeroport, pasi nuk ishin informuar për fillimin e grevës 24 orëshe.
"Unë duhet të prenotoj një tjetër udhëtim për në Kanada, dhe më duhet të kaloj edhe 36 orë të tjera këtu, kështu që ky ishte një shtrat i ri për dje dhe për sot", thotë një turiste kanadeze, duke treguar vendqendrimet në aeroport të cilat janë kthyer ne dhoma gjumi për pasagjerët e bllokuar.
"Jam shumë e shqetësuar , nuk jam një vajzë e re dhe në momentin që fluturimi u anulua, duhej të më kishin njoftuar , e kështu do të qëndroja aty ku isha", thotë një turiste gjermane.
Ndalime të udhëtimeve janë regjistruar edhe në sistemin e transportit detar. Kështu në portin tregtar kryesor në Greqi, në portin e Pireut, ka dominuar qetësia, ndërsa gjithashtu është pezulluar edhe qarkullimi në linjat hekurudhore.
Ndër 500 000 punonjësit e sektorit publik, të përfaqësuar nga sindikata "ADEDY" , ku bëjnë pjesë kontrollorë të shërbimit publik ajror, ata në porte, operatorët e shërbimit sanitar, mësues e të tjerë persona në zyra publike, thuajse kanë paralizuar jetën normale në vendin fqinj. Punonjësit e sektorit publik në Greqi e nisën grevën në shenjë proteste ndaj masave të njoftuara nga qeveria për të luftuar defiçitin buxhetor. Shumë shkolla nuk kanë zhvilluar mësim gjatë ditës së mërkurë, ndërsa në spitale puna po funksionon vetëm me shërbimet e urgjencës. Sindikata proteston për masën e qeverisë e cila kërkon të ulë pagat dhe pensionet dhe të rishikojë sistemin e taksave, ndërsa kundërshtohet edhe rritja e moshës për daljen në pension. Kjo situatë ka tërhequr ndërkaq vëmendjen e ekspertëve të ekonomisë dhe politikanëve në Europë, pasi kriza ekonomike në ketë vend mund të përhapet në shumë vende europiane. Vendi është vënë nën presion për të caktuar për uljen e shpenzimeve në buxhet, pasi zbuloi se defiçiti i lartë mund të kërcënonte kredibilitetin e euros.