E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqia: Mbështesim Shqipërinë për liberalizimin e vizave dhe hyrjen në BE Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë takimit me Ministrin e Mbrojtjes së Qytetarëve të Greqisë, Mihalis Kristoforidhis

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, takoi paraditen e sotme Ministrin e Mbrojtjes së Qytetarëve të Greqisë, Mihalis Kristoforidhis. Në këtë takim, kreu i ekzekutivit rishprehu vullnetin e qeverisë shqiptare për të nënshkruar çdo marrëveshje, për të luftuar me efikasitet të plotë krimin, në dobi të forcimit të sigurisë dhe ruajtjes së rendit publik, si dhe jetës e pasurisë së qytetarëve të dy vendeve. Ministri i Mbrojtjes së Qytetarëve të Greqisë, Mihailis Kristoforidhis e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin e Shqipërisë për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, dhe i transmetoi përshëndetjet më të përzemërta të kryeministrit grek Papandreu. Ministri grek vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira midis qeverive dhe të dy vendeve dhe i konfirmoi Kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Greqisë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe ne veçanti për heqjen sa më të shpejtë të vizave për qytetarët shqiptarë. “Ne besojmë se liberalizmi i vizave për qytetarët shqiptarë për në hapësirat evropiane do të sjellë reduktim të mëtejshëm të aktiviteteve të paligjshme duke konsoliduar edhe më tej rendin e sigurinë në rajon”, u shpreh ministri grek. Në ketë kontekst, ministri Kristoforidhis e informoi Kryeministrin Berisha për miratimin, në parlamentin grek, të ligjit, i cili lejon dhënien e shtetësisë për emigrantët e brezit të dytë, me banim të rregullt në Greqi, i cili pritet të sjellë një kontribut të rëndësishëm ne përmirësimin e mëtejshëm te kushteve te jetesës dhe për integrimin emigrantëve shqiptarë në shoqërinë greke.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›