Greqia angazhohet për liberalizimin e shpejtë të regjimit të vizave Shqipëri-BE

Ministrat Basha dhe Bakojani konfirmojnë se nuk ekziston asnjë problem në marrëdhëniet mes dy vendeve, të cilat janë klasifikuar si “të shkëlqyera”. Ministrja e jashtme greke garantoi mbështetje të plotë për kërkesën e Shqipërisë, për të marrë statusin e vendit-kandidat për në BE, ndërkohë që mbështetet fuqimisht kërkesa për heqjen e regjimit të vizave për 27 vendet e Unionit
Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë ka njohur rritje dhe po shkojnë gjithnjë e më shumë drejt një stadi të shkëlqyer. Ky ishte konkluzioni i takimit të djeshëm në Tiranë, të ministrit të Punëve të Jashtme, Lulzim Basha me homologen e tij greke Dora Bakojani. Ministri Basha vlerësoi pozicionin e Greqisë si një partner strategjik politik dhe ekonomik i Shqipërisë.
Në këtë kontekst, Ministrja e Punëve të Jashtme të Greqisë, Dora Bakojani, në emër të qeverisë greke deklaroi dje në Tiranë, se e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian dhe për të arritur këtë, do të mbështesë aplikimin e vendit tonë për statusin kandidat. Këtë garanci Bakojani e dha gjatë takimit me homologun e saj, Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Luzim Basha.
E pyetur lidhur me perspektivën e Shqipërisë në BE dhe pozicionin e Greqisë, Bakojani u shpreh se “ne mbështesim perspektivën evropiane të Shqipërisë”. “Ne e kemi bërë të qartë në Samitin e Selanikut se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin Bashkimit Evropian dhe sigurisht që ne e mbështesim Shqipërinë në këtë proces”, tha Bakojani.
Për sa i takon çështjes së liberalizimit të vizave Shqipëri-BE, shefja e diplomacisë greke vuri në dukje se edhe për këtë përgjigjja e Greqisë është përsëri pozitive. “Është një pyetje shumë e thjesht, përgjigja është po, po për të dy pyetjet, po ne mbështesim procesin e liberalizimit të vizave me Shqipërinë i cili është një proces shumë i rëndësishëm për rritjen e kontakteve ndër njerëzore midis vendeve të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh më tej ministrja Bakojani gjatë konferencës për shtyp me homologun e saj Basha.
Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë ka njohur rritje dhe po shkojnë gjithnjë e më shumë drejt një stadi të shkëlqyer. Ky ishte konkluzioni i takimit të djeshëm në Tiranë, të ministrit të Punëve të Jashtme, Lulzim Basha me homologen e tij greke Dora Bakojani. Ministri Basha vlerësoi pozicionin e Greqisë si një partner strategjik politik dhe ekonomik i Shqipërisë.
Pjesë e rëndësishme e bisedimeve mes tyre kanë qenë dhe zhvillimet më të fundit në Shqipëri, dhe më kryesisht përfundimi i infrastrukturës zgjedhore përpara mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Në këtë kuadër ministri Basha bëri të ditur se i përcolli ministres Bakojani angazhimin e qeverisë së Shqipërisë për të pritur misionin vëzhgues më të madh që ka monitoruar ndonjëherë zgjedhjet në Shqipëri.
Shefja e diplomacisë greke, Dora Bakojani deklaroi nga ana e saj, se Shqipëria dhe Greqia janë fqinj të ngushtë, lidhjet e të cilave bëhen më të forta për të përballuar sfidat e përbashkëta për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur për popujt tanë.
Ministrja greke vuri në dukje se parlamenti grek do të ratifikojë shumë shpejt Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, dhe siç theksoi ajo, pak kohë më parë, u nënshkrua marrëveshja e Stabilizim-Asociimit midis Shqipërisë dhe BE-së. “Mbi të gjitha, të dy qeveritë, ajo e Greqisë dhe e Shqipërisë kanë një partneritet të rrallë, veçanërisht për sa i takon minoritetit grek në Shqipëri si dhe emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi”, tha ajo.
Duke u ndalur tek turi i ditëve të fundit në rajon i ministres Bakojani në Serbi, Kosovë e dje në Tiranë, ministri Basha vlerësoi se vizita të tilla dëshmojnë rëndësinë e veçantë që Kryesia greke e OSBE-së i kushton Ballkanit Perëndimor.
Në kuadër të kontributit të rëndësishëm të OSBE-së
, me anë të misioneve të saj, në konsolidimin e demokracisë, institucioneve dhe sundimit të ligjit në vendet e Ballkanit Perëndimor, Basha konfirmoi se i përcolli ministres Bakojani vullnetin e qeverisë shqiptare për të vazhduar bashkëpunimin me Praninë e OSBE-së në Shqipëri, në përputhje me parimin e respektimit të nevojave dhe prioriteteve të vendit pritës.
Duke iu përgjigjur prioritetet të Greqisë si Kryetare e Radhës e OSBE-së, të cilat do të jenë në funksion të rritjes së kapaciteteve të OSBE-së, në parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve, si dhe në rritjen efektivitetit të punës së Organizatës, kreu i Diplomacisë shqiptare u shpreh se kjo mbështetje e Shqipërisë për prioritetet greke do të materializohet me organizimin në Tiranë, më datë 16-17 mars, të punimeve të Konferencës së Dytë Përgatitore të Forumit për Ekonominë dhe Mjedisin të OSBE-së, që do të trajtojë tema të lidhura me impaktin e emigracionit në çështjet e sigurisë.
Ministrja greke vijoi se në takimin me ministrin Basha është diskutuar edhe për marrëdhëniet ekonomike, veçanërisht në kushtet e krizës financiare globale.
“Shqipëria merr kryesinë e OSBE-së në 2012-n”/Një pikë e rëndësishme në të cilën janë fokusuar dy bashkëbiseduesit ka qenë mbështetja që Shqipëria i ka kërkuar Greqisë lidhur me kërkesën e vendit tonë, për marrjen e Kryesisë së OSBE-së në vitin 2012, në mënyrë që ky vendim të merret gjatë Ministerialit të Athinës, në dhjetor 2009. Ministrja e Punëve të Jashtme e Greqisë siguroi dje se Shqipëria mund të marrë kryesinë e organizatës së OSBE-së në vitin 2012. Gjatë takimit me ministrin e Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, Bakojani tha se “unë besoj se kjo është e mundur nëse Shqipëria bën progres të shpejtë në rrugën e reformave”. “Prezenca e OSBE-së ka bërë një punë të madhe në disa fusha kryesore. Roli i organizatës ka qenë thelbësor në përmirësimin e klimës së konsensusit politik si dhe në procesin e reformave madhore në Shqipëri dhe veçanërisht për sa i përket stabilitetit politik”, tha ajo.
Edhe Topalli pret Ministren e Jashtme të Greqisë/Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli ka zhvilluar dje një takim me Ministren e Punëve të Jashtme të Greqisë, Dora Bakojani, e cila vizitoi Shqipërinë në cilësinë e Kryetares së radhës të OSBE-së. Duke u ndalur tek anëtarësimin i Shqipërisë në BE dhe NATO, Topalli tha se “Ratifikimi i MSA-së nga parlamenti grek, përmbylli edhe fazën e ratifikimeve nga vendet anëtare të BE-së, të cilat njëra pas tjetrës i dhanë besimin Shqipërisë evropiane. Po ashtu ne besojmë se do të përmbyllim së shpejti edhe ratifikimin e protokollit të NATO-s nga vendet anëtare të Aleancës”. Nga ana e saj ministrja Bakojani garantoi se “Parlamenti grek do të ratifikojë javën e ardhshme këtë protokoll dhe jam e bindur se të gjithë vendet e NATO-s do ta ratifikojnë deri në Samitin e prillit. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe rajonin. Ky vit, theksoi ajo, do të jetë shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe besoj se gjithçka po ecën shumë mirë”, tha Bakojani. Duke u ndalur tek zgjedhjet e ardhshme në vendin tonë, kryetarja e Kuvendit i përcolli ministres Bakojani rëndësinë që ka prezenca e vëzhguesve të OSBE në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilët do të kenë mundësi të shohin procesin zgjedhor më të lirë e transparent që Shqipëria ka realizuar.
Kryetarja e Kuvendit bëri një panoramë të transformimeve më të fundit në vendin tonë. Duke ndalur tek reformat parlamentare, Topalli ka veçuar reformën elektorale të realizuar me konsensus të gjerë politik.
Kosova ishte një tjetër çështje mes dy bashkëbiseduesve, ku Kryetarja e Kuvendit theksoi se do të ishte shumë e rëndësishme anëtarësimi i Kosovës në OSBE ashtu si edhe në organizatat e tjera ndërkombëtare. Pavarësia e Kosovës, theksoi ajo ka sjellë një ndryshim rrënjësor pozitiv në perspektivën evropiane të Ballkanit. Përmes zonjës Bakojani Topalli i përcolli Kryetarit të Parlamentit grek Sioufas përshëndetjet e saj të sinqerta, duke theksuar dëshirën për intensifikimin e marrëdhënieve mes dy parlamenteve të dy vendeve fqinj.
...