E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr konfirmimin nga Ministrja e Punëve të Jashtme të Greqisë, Dora Bakojani


“Greqia do të ratifikojë javën tjetër Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO”


Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim ministren e Punëve të Jashtme të Greqisë, Dora Bakojani, në cilësinë e Kryetares së Presidencës së Radhës së OSBE-së. Duke i uruar mirëseardhjen Bakojani, Berisha i përcolli asaj mirënjohjen e qeverisë shqiptare, për rolin që Presidenca greke e OSBE-së ka luajtur në mbështetjen e plotë të Shqipërisë, gjatë misionit të saj. 


Nga ana e saj ministrja Bakojani e falënderoi përzemërsisht kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe theksoi se të gjithë vendet e Bashkimit Evropian vlerësojnë maksimalisht atë çka qeveria shqiptare ka bërë dhe po bën për të reformuar dhe ndryshuar vendin, si dhe për integrimin e shpejtë në NATO dhe BE. Kreu i ekzekutivit e garantoi ministren greke se, qeveria shqiptare do të jetë plotësisht e angazhuar për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme, si dhe i kërkoi asaj të influencojë për të sjellë në Shqipëri sa më shumë vëzhgues. Ministrja Bakojani u shpreh e sigurt se qeveria shqiptare do të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. 


Pjesë e bisedës mes ministres Bakojani dhe kryeministrit Berisha ishte edhe Ligji i Lustracionit. Rreth kësaj çështjeje, kryeministri Berisha e garantoi ministren Bakojani se ligji i dosjeve do të zbatohet në përputhje të plotë me parimet e shtetit ligjor dhe standardet e Strasburgut, duke mirëpritur edhe mundësinë që ekspertë çekë të ligjit të lustracionit do të mund të vinin në Shqipëri për të ndihmuar për zbatimin e tij. 


Ministrja  Bakojani vlerësoi se ligji i lustracionit është një çështje e rëndësishme që ka të bëjë me moralin e shoqërisë, dhe se gjen mirëkuptim nga të gjithë dhe është dakord të kërkojnë ndihmën e një grupi ekspertësh. 


Kryeministri Berisha dhe ministrja Bakojani u ndalën te marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, marrëdhënie të cilat u cilësuan si të shkëlqyera. 


Në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ministrja Bakojani i garantoi kryeministrit Berisha se Greqia do të ratifikojë gjatë javës që vjen Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancë. 


Bashkëbiseduesit prekën edhe çështjen e investimeve greke në Shqipëri, ku kryeministri Berisha e garantoi Bakojani se investimet greke kanë përkrahjen e plotë të qeverisë shqiptare. Në këtë kontekst, Bakojani i bëri me dije kryeministrit se qeveria greke është shumë e interesuar të nxisë investimet greke në Shqipëri, dhe në funksion të kësaj ajo tha se programi i ndihmës ekonomike greke do të financojë, përmes një grandit, të gjitha rrugët rurale që lidhin rrugën Konispol - Sarandë me komunat përreth. 


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›