E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia avancon nis kerkimi i gazit prane Korfuzit

Ende pa finalizuar marrëveshjen për përcaktimin e kufijve detare me Shqipërinë, Athina zyrtare nis programin e kërkimit të gazit dhe të naftës në detin Jon. Projekti në kuadër të reformave dhe privatizimeve për shkak të krizës ekonomike që kalon Greqia,  synon të nxjerrë në pah struktura gjeologjike dhe burimet e mundshme të naftës, për të nisur në vitin 2012 një seri dhëniesh me konçesione në fusha të caktuara detare.

Lajmin e njoftojnë mediat greke. Sipas gazetës “To Vima”, ky projekt shtrihet në zonën detare të Korfuzit qytetit fqinj me Shqipërinë. Bëhet fjalë për hapësirën detare shumë të diskutuar për shkak të marrëveshjes për kufijtë, e cila u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë si antikushtetuese në prill të vitit 2010.

Marrëveshja ishte denoncuar në Kushtetuese pasi ministrat respektivë të Punëve të Jashtme, të të dy vendeve e firmosën atë në prill të vitit 2009 në Tiranë. Marrëveshja u kundërshtua me argumentin se Greqisë, përmes saj, i faleshin territore detare të Jonit.  Burime të shtypit grek flasin se programi pritet të përfshijë vitin e ardhshëm, kompani ndërkombëtare për të zgjeruar kërkimin në zonë.

Kërkimet, sipas njërës prej gazetave kryesore greke “To Vima”, bazohen në parimin e vijës së mesit, apo distancës së barazlarguar në mes të të gjitha territoreve të vendeve të interesuara për të vendosur kufijtë e zonës detare të Detit Jon.

Juli Prifti

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›