E Diel, 1 Nëntor 2026

Ujerat e zeza te Currilat bizneset 10 dite kohe te marrin masa

Në rast se brenda 10 ditësh subjektet që shkarkojnë ujërat e zeza në det në plazhin e Currilave nuk marrin masat për lidhjen e tubacionieve të tyre me atë kryesor, do të merren masa ndëshkimore. Paralajmërimi vjen nga Agjencia Rajonale e Mjedisit në Durrës sipas së cilës këtë problem duhet ta kishte zgjidhur bashkia, pasi ajo merr qiranë e kabinave të plazhit prej shumë vitesh.

“Të gjitha subjektet që ushtrojnë aktivitet në këtë zonë paralajëmrohen të bëjnë lidhjen e gropave septike me kanalin e ujërave të zeza brenda 10 ditëve. Është një kanal që nuk është dorëzuar nga bashkia te ujësjellës-kanalizime. Presim që gropat septike të mos përdoren, pasi nga persona të papërgjegjshëm ato nuk pastrohen dhe mund të hidhen në det në mënyrë klandestine”-thotë Ramaza Kalia, drejtor i ARM-së, Durrës.

Ndërsa bashkia, ndërhyrjen në kanalizime e konsideron punë të ujësjellësit.

“Shërbimi ujësjellës-kanalizime i takon Ndërmarrjes së Ujësjellës-kanalizimeve që deri tani është në varësi të pushtetit qendror. Bashkia e Durrësit nuk e quan veten jashtë loje, por nuk ka autoritet për manaxhimin e ujërave të zeza dhe të ujësjellësit”-shprehet Besnik Kërtusha, Drejtor i Zyrës së Shërbimeve në Bashki.

Pavarësisht alarmit që është dhënë nga drejtuesit e institucioneve të shëndetit për rrezikun e ndotjes së detit në plazhin e Currilave, pushuesit duket se nuk janë menduar shumë, pasi në gjithë gjatësinë e këtij plazhi që nis nga Brryli, dhjetëra pushues vazhdojnë t’i qëndrojnë besnikë plazhit tradicional të durrsakëve.

Aleks Kalemasi       

Azhornuar së fundi ( e shtunë , 11 qershor 2011 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›