E Hënë, 2 Nëntor 2026

Greqia, “çudia” e vitit

25/12/2004  Mund të quhet pa frikë një nga vitet e mërzisë së madhe. Një komb që nuk kishte arritur të fitonte asnjë ndeshje nëpër kompeticionet ndërkombëtare, e hapi Evropianin 2004 duke mposhtur vendasit e Portugalisë. Më pas çudia filloi të merrte përmasa më të mëdha, duke shkuar deri në ngritjen e trofeut prestigjoz për futbollin evropian. Ndonëse Greqia ishte kualifikuar për në Portugali, si kryesuese e Grupit 6, duke lënë prapa Spanjën, kompeticionin e 2004-s e nisi me një kuotë prej 100/1 për t’u shpallur kampion. Kështu, ky vit për grekët nisi me triumfet në takimet miqësore kundër Bullgarisë dhe Zvicrës, por një humbje me rezultatin 4-0 përballë Holandës në muajin prill, duket sikur e fshiu nga qarkullimi këtë skuadër modeste. Sigurisht këto hije dyshimi për Greqinë filluan të ndryshonin me fitoren në takimin e hapjes së Euro 2004, ku djemtë e Rehagel mundën Portugalinë me rezultatin 2-1. Dy golave të Karagunis dhe Basinas iu kundërpërgjigj vetëm Kristiano Ronaldo, i cili vetëm sa ngushëlloi veten e skuadrën e tij për humbjen e pësuar. E megjithatë, të dyja këto skuadra ia dolën mbanë për t’u kualifikuar, ku në takimin e fundit portugezët fituan ndaj fqinjëve spanjollë dhe grekët shmangën me lezet Rusinë pa shpresë. Nga ana tjetër, rivalët e ballkanasve Franca, arriti të mbijetonte nga “uragani” anglez, duke fituar dy gola të shpejtë prej klasikut Zinedin Zidan. Në Grupin C, barazimi i lehtë në derbin skandinav midis Suedisë e Danimarkës, nxorri menjëherë jashtë loje Italinë e madhe që me zor siguroi një fitore në minutat e fundit kundër Bullgarisë. Ndërkaq, skuadra e Çekisë duke fituar përballë Holandës e Gjermanisë, eliminoi këtë të fundit duke u kualifikuar së bashku me të besuarit e Dik Advokat. Me fillimin e takimeve çerekfinale, Portugalia, pas barazimit të vështirë me Anglinë arriti të kalonte më tej duke fituar vetëm në sajë të gjuajtjeve nga pika e bardhë e penalltisë. Nga ana tjetër, Greqia i dha fund mbretërimit të Francës në futbollin ndërkombëtar me shënimin e një goli të vetëm. Edhe Çekia nuk mbetej prapa me lojën e jashtëzakonshme të zhvilluar, pasi ka eliminuar një tjetër emër të madh si Danimarka, me rezultatin 3-0. Milan Barosh ishte heroi i ndeshjes duke shënuar dy gola. Për fat të keq, çekët duhet të gjunjëzoheshin në takimin gjysmëfinal, pikërisht duke patur përballë Greqinë e Rehagel. Mungesa e Pavel Nedved solli që djemtë e Brukner të mos i rezistonin dot golit të artë, i cili mbante firmën e mbrojtësit të Romës, Trajnos Delas. Një tjetër sukses të madh kishte arritur edhe Portugalia që arriti të dilte me fitore kundër Holandës, të mbushur me yje. Në përfundimin e këtij Evropiani ata që dolën triumfatorë në finalen e madhe të Lisbonës, ishin sërish grekët, të cilët iu falën kësaj radhe golit me kokë të shënuar nga Anxhelo Haristeas, në minutën e 57-të. Menjëherë pasi ngriti në qiell trofeun e Kampionatit Evropian, kapiteni grek Teodoros Zagoraqis fitoi edhe titullin e Lojtarit më të mirë në këtë kompeticion. Pas mbylljes së këtij evenimenti të rëndësishëm për Evropën, në eliminatoret e Botërorit 2006, filluan ndryshimet e shumta të trajnerëve në disa prej skuadrave përfaqësuese. Holanda dhe Gjermania sollën në pankinë emrat më të rinj në futbollin e tyre dhe respektivisht Marko Van Basten e Jurgen Klinsman. Për Italinë e Spanjën nuk mund të mos mungonin ndryshimet në pankinë, ku Marçelo Lipi dhe Luis Arragones ishin zgjedhjet e këtyre dy skuadrave përfaqësuese. E njëjta gjë ndodhi edhe me Francën, skuadër, e cila kurrsesi nuk mund ta pranonte dështimin e radhës në Euro 2004. Kështu, trajneri i ri për kampionët e botës në vitin 1998, u zgjodh Rajmond Domenek që më parë kishte drejtuar skuadrën përfaqësuese të U-21. Në fakt, shoku më i madh për të saposhpallurit kampionë të Evropës, ishte humbja e papritur me rezultatin 2-1 në Tiranë, kundër fqinjëve të Shqipërisë modeste, kur kishin kaluar vetëm dy muaj nga celebrimi i madh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›