E Hënë, 2 Nëntor 2026

Malazezi, 1 muaj burg

24/12/2004  Një kile pluhur i ka kushtuar dy muaj burgim të dyshimtë në qelitë shqiptare, një shtetasi malazez, i cili është arrestuar teksa udhëtonte brenda kufirit shqiptar. Leon Ndreshaj është arrestuar dy muaj më parë bashkë me dy shqiptarët që u ndodhën në makinën me të cilën udhëtonte. Altin Kekaj dhe Kastriot Pepaj, të dy në moshën 32-vjeçare, u arrestuan bashkë me malazezin nga policia shqiptare pas kontrollit të “Benz Mercedes”-it. Verifikimi zbuloi jo shumë të fshehur në makinë, një qese me pluhur të bardhë. Aksioni që pati jo pak pasqyrim ka ndodhur dy muaj me parë. Prej asaj kohe, malazezi dhe dy shqiptarët gjenden në qelitë e paraburgimit, edhe pse vetë Prokuroria ka publikuar dje rezultatin e ekpsertizës, se pluhuri nuk ka rezultuar të jetë drogë. Sinjalin e parë për një akuzë të padrejtë e kanë dhënë ekspertët e Tiranës, pak ditë pas arrestimit të malazezit dhe dy shqiptarëve. Mjekësia Ligjore në Tiranë, pasi kreu ekspertizat, vlerësoi se pluhuri nuk ishte drogë. Edhe pse përfundimi ishte shkencor, Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkoi Gjykatës të mbante në arrest tre trafikantët e miellit, njëri prej të cilëve i huaj në vendin tonë. Vendimi u dha në datën 1 dhjetor, pas një seance të zhurmshme, në të cilën thuajse duke bërtitur, të arrestuarit thanë se pluhuri për të cilin ishin arrestuar nuk ishte kokainë. Pas ekspertimit të ekspertëve shqiptarë, sërish të arrestuarit qëndronin në qeli, ndërsa pluhuri që rezultoi se nuk ishte drogë, udhëtoi për një ekspertim special në Mal të Zi, pikërisht në vendin nga vinte njëri “trafikant”. Ambasada malazeze në Tiranë, ende nuk ka shfaqur një reagim publik mbi rastin e akuzave të dyshimta të një shtetasi nga fqinji ynë verior. As avokatët e të arrestuarve nuk kanë kërkuar ende një dëmshpërblim për dy muajt e arrestit, për një kile pluhur që nuk doli të ishte drogë. Burime të çështjes, thonë se masa e sigurisë arrest në burg ndaj tre të arrestuarve me akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike është apeluar, ndërsa Shkalla e Dytë e gjyqësorit nuk e ka dhënë ende vendimin e saj. Sipas burimeve, dëmshpërblimi për burgim dhe akuza të padrejta është një nga veprimet e pritshme që do të bëhen, pasi Apeli t'i lirojë tre “trafikantët”. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka në proces disa dosje që po hetohen bashkërisht me Prokurorinë malazeze, e cila ka marrë informacione të sakta dhe të plota mbi çështjen e të arrestuarit malazez, prej më shumë se një muaji në Shqipëri. T.S.

Viti 2004, Krimet e Rënda hetuan 360 dosje

Në përfundim të vitit 2004, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka publikuar statistikat e punës së saj, që nga muaji janar i këtij viti, kohë në të cilën e filloi aktivitetin. 360 dosje penale, janë regjistruar në Regjistrin Penal pranë organit të hetimit për Krime të Rënda. Prej këtyre deri në muajin tetor, 180 janë hetuar nga hetuesit dhe prokurorët e këtij institucioni, ndërsa pjesa tjetër janë dërguar në Gjykatë apo janë rikthyer për hetime të mëtejshme në polici. 46 dosje janë klafisikuar si organizata kriminale. Gjashtë prej këtyre dosjeve gjykohen në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, ndërsa 40 dosjet tjera janë në hetim. Një pjesë të mirë të dosjeve që ka marrë fillimisht nga prokuroritë e rretheve dhe nga ajo e Tiranës, Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka rikthyer aty ku ato janë hapur, pas ligjit të fundit të Presidentit, që u miratua në muajin tetor të këtij viti. Sipas këtij ligji, që nga tetori, Prokuroria e Krimeve të Rënda do të zhvillojë hetime vetëm ndaj organizatave kriminale, që zhvillojnë trafiqe dhe kryejnë vepra të tjera të rënda penale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›