E Hënë, 2 Nëntor 2026

Prokuroria, shtatë akuza per Entin e Banesave

24/12/2004  TIRANË -Prokuroria e Tiranës vërtoton shtatë akuzat e Kontrollit të Lartë të Shtetit, ndaj Entit Kombëtar të Banesave. Burime zyrtare nga Prokuroria e kryeqytetit thanë se, zyrtarët e Entit Kombëtar të Banesave, janë gjetur fajtorë për akuzat e dëmit ekonomik dhe shpërdorimit të detyrës. Për këto dy akuza, hetuesit e kryeqytetit kanë filluar verifikimet, duke marrë në hetim zyrtarët kryesorë që janë fajësuar nga ekspertët e Kontrollit të Lartë të Shtetit, gjatë kontrollit financiar të fundit. Kallëzimi penal në Prokurorinë e Tiranës është bërë në ditët e para të këtij muaji, ndërsa vetëm për pak ditë Prokuroria ka ngritur grupin e ekspertëve kontabël dhe ka filluar hetimet ndaj të akuzuarve.

Shkeljet

Ekspertët e Prokurorisë vlerësojnë se ka shkelje në kriteret e dhënies së kredive për blerje të apartamenteve të banimit, procedurat për privatizimin e banesave shtetërore, prokurimi i fondeve publike, procedurat për blerjen e apartamenteve në tregun e lirë, procedurat për llogaritjen e normave të strehimit dhe në zbatimin e kontratave. Në bashkëpunim me Kontrollin e Lartë të Shtetit, Prokuroria po bën përpjekje për sekuestrimin e shumave të humbura nga arka e Entit të Banesave, duke marrë në hetim zyrtarët dhe duke sekuestruar pasurinë e tyre.

Dëmet

Sipas hetuesve, 11 milionë lekë dëm ekonomik janë shkaktuar me anë të prokurimeve të fondeve publike. 10 milionë dëm kanë ardhur si pasojë e shkeljes së procedurave të privatizimit të banesave shtetërore. 8.3 milionë lekë të tjera dëm, janë shkaktuar nga mosderdhja e shumave të detyrimeve nga qytetarët në arkën e shtetit të banesave. Lista e dëmeve financiare vijon me 2 milionë lekë të tjera që janë shpërdoruar me dieta gjatë lëvizjes së punonjësve të Entit të Banesave brenda dhe jashtë vendit, si dhe gjatë abuzimeve me kohën e bisedave telefonike. Në total, sipas ekspertëve të Prokurorisë, dëmi paraprakisht llogaritet të jetë 32 milionë lekë, ndërsa hetuesit nuk e përjashtojnë mundësinë që kjo shifër të jetë më e lartë.

Shkeljet

Shkelje në kriteret e dhënies së kredive për blerje të apartamenteve të banimit

Shkelje në procedurat për privatizimin e banesave shtetërore

Shkelje në prokurimet e fondeve publike

Shkelje në procedurat për blerjen e apartamenteve në tregun e lirë

Shkelje në procedurat për llogaritjen e normave të strehimit

Shkelje në zbatimin e kontratave

Dëmi

Në total dëmi ekonomik i konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në përfundim të kontrollit të Entit Kombëtar të banesave, arrin shumën prej rreth 32 milionë lekë.

Masat e propozuara nga KLSH

Zgjidhje e kontratës së punës (pushim nga puna), për 6 punonjësit kryesorë të këtij institucioni

Gjobë nga 50.000 lekë secili për 8 punonjës të tjerë

Kallëzim penal në Prokurori për drejtuesit kryesorë të këtij institucioni të konsideruar përgjegjës për shkeljet e konstatuara dhe shpërdorimet në detyrë

KLSH, 131 milionë dëm në

TVSH, kallëzim drejtorit

Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzon për ndjekje penale drejtorin e Përgjithshëm të Radiotelevizionit Shqiptar, Artur Zheji. Burime zyrtare nga KLSH-ja, thanë dje se Zheji është denoncuar në Prokurori pas kontrollit financiar që është ushtruar në institucionin e drejtuar prej tij. Ky kontroll ka zbuluar një shifër financiare dëmesh ekonomike të drejtpërdrejtë, prej 40 milionë lekësh. Sipas ekspertëve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, nëse kësaj shume i shtohen edhe borxhet e papaguara të operatorëve privatë ndaj RTVSH-së, dëmi ekonomik arrin në shumën 131 milionë lekë. Gjatë kontrollit të tij, KLSH ka vlerësuar se janë kryer shkelje në zbatimin e rregullave të prokurimit publik, zbatimin e dispozitave për projektet filmike dhe artistike, programet dhe miratimin e treguesve financiarë të institucionit, programimin dhe miratimin e treguesve financiarë të institucionit, pagesave të kryera nëpërmjet arkës, mbajtjes së evidencës kontabile dhe administrimit të inventarizimit dhe vlerve materiale. Burimet zyrtare të Prokurorisë, thanë dje se kallëzimi ndaj Zhehit nuk ka mbërritur ende në këtë institucion, ndërsa KLSH-ja tha se e ka nisur kallëzimin. T.S

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›