“Territori i intimitetit” vjen nga Gjermania në Tiranë
Këtë fundjavë në galerinë “Ibrahim Kodra” pranë Ministrisë të Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve është përuruar ekspozita e veçantë e artistes gjermane Verena Kyselka, e titulluar “Territory of Intimacy” (Territori i Intimitetit). Kemi të bëjmë me një projekt arti që analizon ndikimet e diktaturës dhe vetizolimit disavjeçar të shqiptarëve në marrëdhëniet ndërpersonale. Një shembull për këtë është edhe ndalimi doktrinor i regjimit të Hoxhës, sipas së cilit çiftet e dashuruara nuk duhet të putheshin në publik. Ky ndalim ndikonte natyrisht edhe mbi filmin si mjet i kontrolluar e i censuruar nga shteti. Momentet erotike të një çifti të dashuruar, të lejuara për t’u shfaqur, kufizoheshin në shikime, prekje të lehta dhe përqafime të shkurtra, ndërkohë që në këta filma mund të gjesh më tepër prekje, e madje puthje mes burrash. Lejohej e ashtuquajtura puthje vëllazërore, e cila nënkuptonte miqësi, paqe dhe solidaritet. Artistja gjermane shprehet: “Qëllimi im artistik është të prek përvoja të kësaj periudhe dhe t’i vendos ato në një kontekst artistik”. Në CV-në e saj artistja numëron ekspozita të ndryshme që lidhen me historinë moderne të Gjermanisë Lindore si (1999) “Andreas Përballë”, Erfurt (Gjermani); 2005 “Përfshirje” në ish-burgun e Sigurimit të Shtetit të RDGJ-së, Erfurt (Gjermani); 2007/08 “Conspirancy Duellings”, Erfurt (Gjermani) dhe Bracknell (Britani e Madhe).
8 Nentor 2008