E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqia dhe Maqedonia, skeptike për negociatat



Diplomatet grekë shprehen mosbesues lidhur me mundësitë e progresit të negociatave mbi çështjen e emrit kushtetues të Maqedonisë. Sipas diplomatëve edhe vizita e ndërmjetësit Metju Nimiç në Athinë dhe Shkup nuk do të zgjidhë gjë. Ndërkohë kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski ka deklaruar se nga takimi i zhvilluar në Gjenevë për çështjen e emrit, nuk ka pasur propozime konkrete nga ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimiç. Gruevski ka bërë të ditur se në takim janë shkëmbyer vetëm mendime mbi detajet e procesit të negociatave, të ndërprera për një kohë të gjatë. “Negociatori jonë, Jolevski më ka informuar në mënyrë të përgjithshme, pa dhënë detaje. Ai ka saktësuar se nuk ka pasur një propozim konkret për emrin dhe se janë shkëmbyer vetëm mendime mbi procesin e negociatave”,- ka pohuar Gruevski. Kryeministri ka rikonfirmuar lajmin për vizitën e ndërmjetësit të OKB-së, Metju Nimiç në Shkup, në fillim të muajit të ardhshëm.

Petroviç thirrje serbëve: “Dilni në zgjedhje!”

Përfaqësuesit e partive serbe në Kosovë iu bëjnë thirrje qytetarëve serbë të dalin në zgjedhjet lokale, që mbahen më 15 nëntor të këtij viti. Sllobodan Petroviç nga Partia Liberale serbe e Kosovës thote se “është e domosdoshme që njerëzit t’i kuptojnë përparësitë me procesin e decentralizimit dhe për këtë të dalin në zgjedhje. Kjo sipas tij është në interes të vetë qytetarëve serbë. Por ka politikanë të tjerë si Branisllav Gerbiç, i Partisë Demokracia e Re, që pretendon se “ende nuk janë krijuar kushtet ideale që serbët t’u bësojnë institucionëve të Kosovës dhe në bazë të këtij besimi të dalin në zgjedhje”. Në zgjedhjet e kaluara, shumica e serbëve e bojkotuan procesin.

83 të vdekur nga sulmi në Pakistan

Ka shkuar në 83 numri i personave të vdekur nga sulmi me raketë në jug të Vaziristanit në Pakistan. Sulmi ka ndodhur në fshatin e lindjes së liderit ekstremist taleban Bejtullah Mehsud, ku rreth 200 njerëz ishin mbledhur për funeralin e liderit tjetër taleban, Khozhuali i vrarë pak kohë më parë, kur një raketë ka goditur turmën duke lënë mbi 83 të vdekur. Zona ku ka ndodhur sulmi njihet si një bastion i talebanëve dhe në pak kohë aty janë ndërmarrë disa aksione me raketa nga ushtria amerikane, të cilat kanë shkaktuar rreth 340 viktima. Sulmet janë bërë nga aeroplanat amerikanë pa ekuipazh, që kanë marrë në shënjestër militantët e dyshuar talibanë.

25 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›