E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia, dita e parë e qetësisë pas protestave

 

Analistët japin mendimin e tyre në lidhje me atë që ka ndodhur këto ditë në Greqi dhe shkaqet reale të protestave masive e dhunës

Pas katër ditësh dhune dhe shkatërrimesh, Greqia kaloi natën e parë disi të qetë. Mbulimi i plagëve dhe dalja nga kriza nuk do të jene çështje të lehta. Me përjashtim të episodeve të vogla në Politeknikumin e Athinës dhe në Universitetin e Selanikut, Greqia kaloi natën e parë disi të qetë, pas “cunamit” katërditor të dhunës dhe shkatërrimeve. Kryeministri Karamanlis, pas shtatë masave të shpallura në ndihmë të të dëmtuarve, shkoi në Bruksel për Samitin dyditor Evropian, duke lenë pas kryetarin e bashkisë, që me ekipet e tij të pastrimit të mbledhë gërmadhat e shkatërrimeve, por jo, sigurisht, edhe ato të dështimit të plotë qeveritar, përballë ngjarjeve, siç shprehen 68 për qind e të anketuarve. Apokalipsi i shkatërrimeve në serialettelevizive të pambarimta, përjetohet si një grusht i rëndë në stomak nga qytetarët e dëshpëruar që bëhet dhe më i madh nga apologjia provokative dhe pa ndjenjën më të vogël të pendimit, nga ana e vrasësit të 15-vjeçarit. Analistët shtrojnë pyetjen: “Pse po vetëshkatërrohet demokracia jonë?”.

Por, reflektimet e deritanishme duket se janë më dekurajuese se pamjet e shkatërrimeve dhe plaçkitjeve, kur vetë Kryeministri Karamanlis pa vetëm “armiq të demokracisë” pas tyre dhe jo dhe zemëratën më të gjerë popullore, përpolitikën e tij qeveritare dhe qorrsokakun social, veçanërisht të rinisë. Aq më tepër, që diskutimi politik degradohet te fajësimi, si shkaktar të trazirave të partisë së majtë SIRIZA, që guxon të flasë për “kryengritje popullore”, e akuzuar në radhë të parë nga Partia Komuniste dhe tani nga shtypi pro qeveritar, i cili “kërkon izolimin e saj politik” dhe “shtypjen e rebeleve sipas modelit Sarkozi”. “Ne luftojmë kundër padrejtësisë së sistemit, jo kundër vitrinave dhe automjeteve të qytetarëve”,- deklaroi kreu i Grupit Parlamentar të partisë, Alekos Allavanos, që insiston se pas dhunës, që e disaprovon, fshihet një “brumosje sociale”, si tek të “Mjerët” e Parisit të Viktor Hygosë.

Debati “revoltë popullore”, apo “dhunë e verbër dhe plaçkitje”, nga përgjigja politike e të cilit do të duket sa i mundshëm është një impuls për daljen nga kriza e thellë e vendit, përfshin më në fund edhe botën intelektuale, zëri i secilës nuk ishte ndier deri tani. “Është një simptomë tipike e një procesi shpërbërjeje, që ka nisur që para 30 vjetëve… dhe nuk fsheh asgjë pozitive”,- sipas intelektualit konservativ më në zë, Kristos Janaras. “Për mendimin tim, ajo që po ndodh sot përbën në mënyrë të qartë një kryengritje… që për dallim nga revolucioni apo edhe grushti i shtetit, nuk parashikohet dhe nuk programohet”,-thotë nga ana e tij intelektuali i majtë, Kleanthis Grivas. Në mesin e këtyre dy pikëpamjeve të kundërta ndodhet shoqëria greke e dëshpëruar, që hëpërhë nuk sheh dritë në fund të tunelit.

Nxënësit e shkollave vazhdojnë protestat

Nxënësit e shkollave të mesme në Greqi i vazhduan protestat, duke qëlluar me gurë stacionet e policisë në pika të ndryshme të Athinës. Protestat, që hynë në ditën e 6-të, pasuan vrasjen e një të riu nga policia. Dje, qendra e Athinës ishte relativisht e qetë. Njerëzit po kthehen në punë, pas grevës 24-orëshe të kërkuar nga sindikata për të protestuar reformat e qeverisë për sistemin e pensioneve dhe privatizimet. Si Kryeministri Kostas Karamanlis, edhe udhëheqësi i opozitës, Jorgos Papandreu, kanë bërë thirrje për qetësi. Dhjetëra protestues dhe policë në Athinë dhe në qytetin e Selanikut janë plagosur që nga e shtuna, kur filluan protestat pas vrasjes së një 15-vjeçari nga policia në një lagje të Athinës. Dy policët përgjegjës për vrasjen janë arrestuar në pritje të gjyqit. Një prej tyre është akuzuar për vrasje. Policët thonë se ata hapën zjarr paralajmërues. Avokati i njërit prej tyre thotë se policët nuk qëlluan drejtpërdrejt mbi të riun dhe se analizat paraprake të kriminalistikës tregojnë se i riu u vra nga rikosheta e plumbit.

Polici “vrasës” mbetet në burg

Polici grek, i akuzuar se ka vrarë një të ri të shtunën, është paditur edhe zyrtarisht për vrasjen e tij. Vdekja e të riut nxiti pesë ditë trazira në Greqi, ku protestuesit u përleshen me policinë në Athinë. Gjykata vendosi se polici duhet të mbahet në gjendje arresti në burg, ndërsa avokati i tij ka thënë se në bazë të një raporti zyrtar, thuhet se i riu u vra nga një plumb rikoshet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›