Kodi, negociata të fshehta PS-PD
Konferenca e Kryetarëve do të mblidhet sot për ti dhënë zgjidhje ngërçit për ligjin zgjedhor
TIRANË- Dekreti i Presidentit të Republikës për rikthimin e Kodit Zgjedhor në Kuvend ka rihapur edhe një herë debatin mes dy forcave të mëdha politike në vend. Megjithëse vërejtja me të cilën kreu i shtetit shoqëroi dekretin e vet nuk kishte të bënte me thelbin e Kodit, por me një çështje krejt teknike, siç është ajo afatit ligjor për shpalljen e datës së zgjedhjeve, duket se mazhoranca po përpiqet ta përdorë këtë moment për përfitime politike. Edhe pse kanë kaluar gati dhjetë ditë nga momenti i shpalljes së dekretit presidencial, shumica qeverisëse nuk ka pranuar që ta fusë atë për shqyrtim në komisione dhe më pas në seancë plenare. Si pretekst ka sjellë paqartësinë ligjore për procedurën që duhet të ndiqet për shqyrtimin e tij në komisione, por prapa duket se fshihet tendenca e shumicës për ta shfrytëzuar Kodin si një mjet për të mbajtur të gjalla mosmarrëveshjet mes partive opozitare. Një hile që duket se e kanë kuptuar socialistët që pasi kanë pritur një reagim normal nga mazhoranca, dje kanë nisur të lëvizin “gurët” për të gjetur një zgjidhje me shumicën. Kështu, burime pranë Partisë Socialiste kanë konfirmuar për gazetën se eksponentë kryesor të kësaj force kanë zhvilluar dje një sërë negociatash me përfaqësuesit e Partisë Demokratike, për ta kaluar kodin sa më parë në seancë plenare për miratim. Ndërkohë që edhe demokratët nga ana tjetër nuk kanë mbetur mbrapa në këtë drejtim, pasi mësohet të kenë kërkuar nga socialistët si shkëmbim konsensusin për kalimin një të gjitha ndryshimeve në Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale, për kalimin e të cilëve kërkohet një shumicë e cilësuar votash. Por ky lloj kushtëzimi nuk është pranuar nga socialistët, prandaj dhe negociatat nuk kanë rezultuar shumë të suksesshme. Megjithatë një zgjidhje këtij debati pritet ti jepet sot në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të grupeve parlamentare, ku dhe do të merret në shqyrtim dekreti i Presidentit për rishqyrtimin e Kodit Zgjedhor. Pavarësisht lojës politike duket se në realitet ekziston një problem teknik në lidhje me paqartësinë se cili komision do ta shqyrtoje dekretin. Pengesa qëndron në neni 86 të Rregullores së Parlamentit, sipas të cilit një dekret i presidentit për rishqyrtim ligji diskutohet në komisionin që e ka shqyrtuar atë fillimisht. Kjo do të thotë se i vetmi autoritet për ta bërë këtë është komisioni i hartimit të Kodit Elektoral. Por këtu ka një handikap shumë të madh ligjor pasi ky komision ka pushuar së funksionuari që prej 15 nëntorit, kur negociatat u mbyllën dhe drafti u dërgua në Parlament, pa e kaluar atë më parë në komisionin e ligjeve. Në këtë mënyrë opsionet që i mbetet konferencës së kryetarëve për të shqyrtuar sot janë kalimi i dekretit në komisionin e Ligjeve, ose ringritja e komisionit të posaçëm parlamentar Kodit Elektoral. Burime pranë dy grupeve të mëdha politike konfirmojnë se opsioni më i mundshëm për tu pranuar është ai i kalimit të dekretit për shqyrtim në Komisionin e Ligjeve, pasi opsioni i dytë ai ringritjes së komisionit të posaçëm do të kërkonte shumë procedura parlamentare, të cilat do të kërkonin dhe shumë kohë fizike, çka nuk do ti shërbente afateve ligjore për një sërë procesesh që lidhen me procesin e ardhshëm zgjedhor. Gjithashtu mësohet se mazhoranca gjatë kësaj mbledhje do të tentoj të fusë në rendin e ditës së diskutimeve të seancës plenare të ditës së hënë dhe projektligjin “për pastërtinë e figurës së zyrtarëve dhe të zgjedhurve, ose siç njihet ndryshe projektligjin për dosjet.