E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kronika e një vrasjeje të paralajmëruar...

Fatkeqësisht, është e njohur se historia përsëritet, ose si tragjedi, ose si farsë. Të shtunën, në zemër të kryeqytetit Grek, u luajt pikërisht tragjedia e njohur. Një polic që nuk u soll si organ rendi, por si “trim i çartun”, vuri në shënjestër dhe vrau me pistoletë një adoleshent 15-vjeçar. Në rast se shtojmë këtu dhe pasojat e krizës ekonomike të paraqitura me nota katastrofike nga kasandrat mediatike, qëndrimin kritik ndaj kapitalizmit perëndimor dhe tendencat anarshiste të rinisë, është më se e kuptueshme se fitili ishte i lehtë për t’u ndezur. Vrasja fatale e 15-vjeçarit, Aleksander Grigoropoulos nga policia çoi me saktësi matematike në flakë. Ajo nuk ishte vetëm një tragjedi e madhe për familjen e tij, por edhe për institucionet demokratike në Greqi.Menjëherë, ministri i Brendshëm dhe Komandanti i Policisë kërkuan dorëheqjen, por Kryeministri e refuzoi, duke dhënë përshtypjen se dorëheqja ishte thjesht një trik për të hedhur hi syve. Mbase, ministri, si profesor në Fakultetin Juridik (biblioteka e të cilit nuk i shpëtoi manisë së shkatërrimit), e nuhati se turma do të kërkonte hakmarrje dhe u mundua të dilte nga vorbulla e ciklonit që po afrohej. Por, ai nuk vonoi të vinte dhe mania shkatërrimtare ishte më e keqe se sa pritej. Të kujtonte revoltat në lagjet periferike të Parisit, por me një ndryshim: Atje bëhej fjalë për fëmijë emigrantësh, pra fëmijë të një perëndie tjetër, ndërsa në Greqi ngjarjet zhvillohen në qendër të kryeqytetit dhe fëmija-viktimë vinte nga familje e pasur, duke na rikujtuar se dhuna represive nuk bën dallime “klasore”.Me një shpejtësi të rrufeshme dhe koordinim për t’u pasur zili, revolta u përhap pothuajse në të gjitha qytetet e mëdha të Greqisë dhe jo vetëm. Episode ndodhën dhe në konsullatat Greke në Moskë, Gjermani, Stamboll. Madje në muret e konsullatës Greke në Nju Jork ishte shkruar “Kriminelë, Aleksi është këtu”. Pa u vonuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Spanja dhe Australia, publikuan udhëzime për qytetarët e tyre për t’ju shmangur vizitave në Greqi, pasi atje po ndodh një shpërthim i vërtetë social. Shpërthim kundër kujt? Turma dogji gjithçka, por gjithsesi me sulme kryesisht të përqendruara ndaj bankave dhe makinave luksoze. Pra, vandalizmi ishte vërtet i verbër, por jo krejtësisht. Prapa tij fshihej ideologji. Fshihej zemërim – ndoshta dëshpërim – për moçalin në të cilin po zhytet çdo dite dhe me shumë Greqia. Llumi i moçalit ka brenda dhe mosndëshkimin e policëve, skandalet e shenjta, krizën e thellë ekonomike, plehrat që mbushin rrugët, studentët që murosin profesorë dhe djegin institucione universitare, papunësinë e të diplomuarve, e cila është më e larta në BE....

Por, padyshim, ikona nuk mund të ishte e “plotë” pa “prezencën” e emigrantëve. Kur bashkë me vandalizmat filloi dhe plaçkitja, kanalet televizive flisnin për pjesëmarrje aktive të emigrantëve. E çuditshme, gjithsesi, ndërsa Athina ishte lënë në dorë të anarkistëve, të cilët marshonin duke djegur dhe shkatërruar qendrën e Athinës, policia arrestonte emigrantë që vidhnin dyqanet e djegura. Padyshim, plaçkitjet janë alibia më e volitshme për të mbushur boshllëkun e lënë nga pushteti. Black out i Nju Jorkut dha shkas për plaçkitje, tufani Katrina në Nju Orlean krijoi të njëjtën situatë. Thua dhe atje emigrantët ishin protagonistë? Mesa duket, emigrantët përdoren si cjapi i larjes së mëkateve për të larguar opinionin publik nga thelbi i problemit, si dhe për të kamufluar paaftësinë e policisë për të vendosur rendin. Sikur të mos mjaftonin ngjarjet e Athinës, varrimi i djaloshit adoleshent u shndërrua në një arenë përleshjeje midis forcave policore the turmës së nxënësve që po i jepnin lamtumirën e fundit bashkëmoshatarit të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›