E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqia drejt qeverisë teknike, Papandreu në dorë të votëbesimit

Në qendër të kritikave ndërkombëtare dhe të zemërimit të grekëve, Papandreu pret votëbesimin në parlament. Lideri i opozitës kërkon dorëheqjen e tij, ndërsa pikëpyetje të mëdha ngrihen mbi marrëveshjen e borxhit

Athinë Jorgo Papandreu, kryeministri i Greqisë gjendet në mes të ciklonit. I vënë në qendër të kritikave të ndërkombëtarëve, për shkak të iniciativës për referendum e të grekëve, për shkak se nuk po i nxjerr dot nga kriza, në mesnatë ai pritet të përballet me testin më të vështirë politik, atë të votëbesimit të qeverisë. E ndërsa në parlament nisën debatet për votëbesimin, mijëra njerëz u grumbulluan në sheshin”Sintagma”, duke kërkuar dorëheqjen e tij. Ankthi sa vjen e rritet për rezultatin e votimit që do të zhvillohet në mesnatë në parlamentin grek. Pritet me interes fjalimi i kryeministrit Jorgos Papandreu, për të cilin thuhet se do të paraqesë një program të veçantë, që do të çojë në formimin e një qeverie të bashkimit kombëtar. Për Papandreun situata është tepër kritike, pasi ka përballë një opozitë që kërkon me ngulm largimin e tij nga kreu i qeverisë, por edhe për shkak të grupit parlamentar të PASOK, deputetë të të cilit janë shprehur se nuk do ta votëbesojnë qeverinë. Kryeministri grek, Papandreu nuk dha dorëheqjen, siç i kërkohet me ngulm nga opozita për të hapur rrugën për një qeveri të “shpëtimit kombëtar”. Deputetë të tij, por edhe opozita reaguan ashpër duke e akuzuar si “të papërgjegjshëm”. Rezultati sonte në mesnatë i votëbesimit të kërkuar nga Papandreu do të vendosë edhe qëndrimin ose jo të tij në “timonin” e vendit. Në mbledhjen e stuhishme të grupit të tij parlamentar, Papandreu tha se “vazhdon normalisht”. Ai kërkoi votëbesim dhe përshëndeti gatishmërinë e opozitës së djathtë “për të votuar marrëveshjen e re të kreditimit”. Përjashtoi zgjedhjet direkte si “katastrofale”, mbrojti idenë e referendumit, që është kthyer mbrapsht, dhe nuk tha asnjë fjalë për “qeveri të shpëtimit kombëtar”, të diskutuar më parë në Këshillin e Ministrave. Deputetja e tij, Vaso Papandreu reagoi ashpër duke i thënë se qeveria ndodhet jashtë vendit dhe kohës”. “I thashë qartë të japë dorëheqjen dhe të shkojmë në zgjedhje…nuk i thashë të bashkëqeverisim”, - ishte përgjigja e zemëruar e kreut të së djathtës, Samaras, i cili e cilësoi Demokracinë e Re si “garante të kursit evropian të Greqisë”. Samaras theksoi se është vetëm pro një qeverie provizore disajavëshe, që do të ratifikojë marrëveshjen e 26 tetorit, do të sigurojë lëvrimin e këstit të 6-të të ndihmës dhe do të çojë vendin në zgjedhje. Papandreu në vijim në parlament ftoi Samaras të fillojnë bisedimet për “qeveri provizore”. Kujtojmë se PASOK ka për momentin 152 deputetë në parlamentin me 300 vende. Që të marrë besimin, qeveria duhet të votohet nga shumica absolute e deputetëve të pranishëm në sallë, pra të marrë 151 vota nëse në sallë janë 300 deputetë, dhe nëse mungon opozita, qeveria duhet të votohet nga shumica e të pranishmëve, që nuk duhet të jenë më pak se 120 deputetë. Deputetët socialistë, Janaka, Kaili e ndonjë tjetër, që kishin deklaruar se nuk do ta japin votën, pasdite thanë se kushtet kanë ndryshuar dhe do e rishikojnë qëndrimin e tyre, çka nënkupton se mund ta votojnë qeverinë. Papandreu ka kërkuar votëbesim, duke premtuar se do nisë punën për qeverinë e përkohshme, e cila do krijojë kushtet për ratifikimin e marrëveshjes, për t’i hapur rrugën këstit të 6 të ndihmës dhe do të përgatisë vendin për zgjedhje. Askush nuk mund të thotë asgjë me siguri për atë që do ndodhë në mesnatë, po të kemi parasysh zhvillimet e befta të ditëve të fundit, por shumë besojnë se qeveria e Papandreut do ta marrë votëbesimin, në mënyrë që të ecet përpara me krijimin e një qeverie kalimtare, ashtu siç ai vetë deklaroi në parlament.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›