Fondacioni Vodafone Albania, mbështetje personave me aftësi të kufizuara në shikim
Dy prej fituesve të programit ‘Bota e Ndryshimit’ të Fondacionit Vodafone Albania, Blerina Shalari dhe Emiliano Lule treguan dje në teatrin e Metropolit gjithçka mbi sfidat e tyre, emocionet që kanë hasur dhe hasin gjatë implementimit të projekteve të tyre në kuadër të përpjekjeve për të ndihmuar personat e komunitetit me probleme në shikim. Emiliano Lule mbylli me sukses projektin e tij, i cili tashmë u jep mundësinë njerëzve me aftësi të kufizuara në shikim të përdorin kompjuterin përmes programit ‘Jaws’, i cili mes një sistemi audio në gjuhën shqipe udhëzon hap pas hapi përdorimin e programeve më të zakonshme kompjuterike. Emiliano falenderoi Fondacionin Vodafone Albania, i cili përmes programit “Bota e Ndryshimit” bëri të mundur realizimin e një ëndrre për të gjithë njerëzit që nuk shikojnë. Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit ishte edhe prezantimi i projektit të ri të programit “Bota e Ndryshimit”, i cili është ne hapat e tij të parë të implementimit: “Të prekim pentagramin”. Tashmë nxënësit kandidatë për artistë do të luajnë në piano, kitarë, fizarmonikë, klarinetë dhe në të gjitha instrumentet, me partitura të përshtatura posaçërisht për ta. Një program kompjuterik i mbështetur financiarisht nga Fondacioni Vodafone Albania dhe mbështetur me logjistikë nga Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë, do të mundësojë pavarësinë totale të nxënësve të verbër në shkrim, lexim dhe mësimin e muzikës profesionale.