E Shtunë, 31 Tetor 2026

AMC ndan çmimet e projektit “Realizimi i një ëndrre”

Tri grupe me punonjës të AMC-së u mblodhën dje në sallën ‘Black Box’ të Universitetit të Arteve në Tiranë, për ndarjen e çmimeve të projektit “Realizimi i një ëndrre”. Qëllimi i projektit ishte të krijonte ndryshime të prekshme për tri institucione të specializuara për t’u kujdesur për fëmijët në nevojë. “Në korrik, tri grupe me nga 15 punonjës të AMC-së u përfshinë në projekte që kishin si objektiv t’i shtonin vlerë jetës së përditshme të fëmijëve në Fshatin SOS, në Institutin e Fëmijëve që nuk Dëgjojnë dhe në Institutin e Nxënësve që nuk Shikojnë”, thuhet në një njoftim të kompanisë. Dhjetëra punonjës të AMC-së lexuan në mënyrë vullnetare libra artistikë dhe me informacion të dobishëm, të cilët u regjistruan dhe iu dhuruan në formën e një biblioteke zanore Institutit të Nxënësve që nuk Shikojnë. Ndërkohë, këtu u ngrit edhe një studio regjistrimi që u jep mundësinë e regjistrimit të librave shkollorë, por fëmijët mund të regjistrojnë edhe krijimet e tyre letrare apo interpretimet muzikore. Grupi i punonjësve i caktuar në Fshatin SOS ndërtoi një fushë sportive dhe një kinema për fëmijët. Gjithashtu krijoi një bibliotekë me libra që i dhuruan punonjësit e AMC-së. Dhoma ndenjeje të rehatshme për djemtë dhe vajzat e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë dhe një mensë moderne, ishin rezultati i përkushtimit që grupi përkatës i AMC-së tregoi gjatë projektit. “Grupet e AMC-së kishin dhe mbështetjen e kontribuuesve Digitalb, Megatek, Abcom, Alba Logic, Nokia Siemens Network Albania, Anosis, Ogilvy, AMC Love Radio, Suli shpk, Kejsi Color, Bonus, Iliria 02 dhe Titan Cement”, thuhet në njoftim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›