E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia hap kufinjtë për emigrantët

Autori i Lajmit: Redaksia
Autoritetet e Greqisë vendosin liridalje të emigrantëve nga 15 nëntori 2009 deri më 31 dhjetor 2010. Kjo është hera e parë që qeveria greke hap kufijtë për një periudhë kaq të gjatë, më shumë se një vit. Ky vendim është marrë dje dhe u konfirmua zyrtarisht nga burime zyrtare të Ministrisë së Rendit Publik të Greqisë. Sipas vendimit të djeshëm, “nga 15/11/2009 me 31/12/2009 do të lejohet dalja dhe rihyrja e emigrantëve të ligjshëm në Greqi që dëshirojnë të vizitojnë vendin e tyre, më shumë se një herë. Sipas vendimit të datës 5 Nëntor 2009, “gjatë periudhës së kohës së vendimit, do të lejohen të gjithë të huajt, pa dallim kombësie, për të vizituar vendin e tyre si dhe të kthehen më shumë se një herë në periudhën deri në 15/11/2009 deri më 31/12/2010”. Të gjithë shtetasit që duan të hyjnë dhe dalin nga Greqia dhe anasjelltas, në vendkalimet kufitare duhet të kenë me vete, pasaportë ose dokument tjetër udhëtimi të njohur nga Greqia, certifikatë A (ngjyrë blu) (Veveosi) që vërteton se ata kanë dorëzuar të gjitha dokumentet e kërkuara për aplikim fillestar apo për të rinovuar lejen e qëndrimit sipas dispozitave relevante të ligjit 3386/2005 dhe ligji 3536/2007 (neni 18 paragrafi 4), ose një certifikatë (vërtetim) të veçantë të banimit. Nga këto lehtësira të shpallura, privohen vetëm ata shtetas të cilët janë nën akuzë për vepra penale ose janë të detyruar të mos dalin nga Greqia për shkak të vënies së tyre nën hetim penal. Vendimi i qeverisë greke, ndryshe nga herët e tjera nuk ka afat të kufizuar deri në disa javë apo dy-tre muaj por plot një vit e gati dy muaj. Ajo që është më e rëndësishme të veçohet, është se ky vendim nënkupton se gjatë vitit 2010, të paktën deri në fund të atij viti, nuk pritet të ketë liberalizim vizash për shqiptarët. Por vendimi mund të jetë dhe një lëvizje e autoriteteve shtetërore, për t’i paraprirë një heqje të mundshme të kufizimit të hyrje-daljes përmes vizave, e pritshme të vendoset për Shqipërinë, nga Bashkimi Evropian, brenda vitit 2010.

Ky lajm është publikuar: 07/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›