E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia insiston, "veto" Maqedonisë

Greqia nuk është lëkundur nga pozicioni i saj dhe ka përsëritur të mërkurën se do të vendosë veton kundër anëtarësimit të mundshëm në NATO të Maqedonisë, pavarësisht presioneve të Presidentit amerikan, Xhorxh Bush, për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mbi emrin që mund të shkaktojë destabilitet në Ballkan. Bush i kishte kërkuar Greqisë të mos përdorte veton e saj si vend anëtar i aleancës për të ndaluar ftesën për anëtarësim në NATO të ish-republikës jugosllave të përzierë etnikisht. Athina ndërkohë thotë se do të pengojë anëtarësimin e Shkupit në rast se nuk ndryshon emrin kushtetues, që është i njëjtë me atë të provincës veriore të Greqisë, vendlindjen e Aleksandrit të Madh. "Ne kemi thënë se mungesa e një zgjidhjeje për mosmarrëveshjen mbi emrin do të thotë mungesë të një ftesë për Maqedoninë", ka thënë ministrja e Jashtme greke, Dora Bakojanis, para gazetarëve, pas një takimi me Kryeministrin grek, Kostas Karamanlis, pak çaste para nisjes për në Bukuresht. E pyetur nëse kishte ndonjë propozim të minutës së fundit nga Kombet e Bashkuara, Bakojanis tha: "Nuk mendoj se ka mbetur kohë për një gjë të tillë". Sipas mediave rajonale edhe Kryeministri grek, Kostas Karamanlis, u ka dërguar një letër liderëve të vendeve anëtare të NATO-s, ku ka shprehur qëndrimin e Greqisë në lidhje me çështjen e emrit kushtetues të Maqedonisë. NATO dhe Bashkimi Evropian kërkojnë një zgjidhje të menjëhershme për mosmarrëveshjen për hir të stabilitetit në Ballkan, që momentalisht është i rrezikuar nga shpallja e njëanshme e Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt, gjë që ka irrituar Beogradin. Maqedonia vetë ka qenë në prag të një lufte etnike, në 2001-shin, pas një "kryengritjeje" të shqiptarëve, por një marrëveshje për ndarjen e pushtetit, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe NATO, zgjidhi situatën. NATO po shqyrton mundësinë e një ftese për anëtarësimin e Maqedonisë, bashkë me partnerët e saj të Adriatikut, Kroacinë dhe Shqipërinë, në samitin që filloi dje dhe përfundon të premten. "Nesër, pas vlerësimit të progresit të tyre, NATO do të marrë vendimin historik mbi pranimin e tre vendeve ballkanike, Kroacisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë", tha edhe Presidenti Bush në një fjalim para çeljes së takimit të NATO-s në kryeqytetin rumun. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap De Hop Shefer, ishte gjithsesi më pak optimist në lidhje me Maqedoninë. "Fatkeqësisht, ndërsa ne flasim këtu, nuk ka ende një zgjidhje konkrete", tha ai. Shkupi shpreson të marrë një datë të shpejtë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, në vijim të këtij viti, por sërish Greqia ka të drejtën e vetos dhe e ka bërë të qartë tashmë se nuk do të hezitojë ta përdorë atë. Maqedonia përdor emrin "Republika e Maqedonisë" në lidhjet dypalëshe me shumë shtete, por quhet "Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë" në OKB, NATO dhe BE. Negociatorët e OKB-së kanë sugjeruar një kompromis, "Republika e Maqedonisë (Shkup)", por kjo nuk është pranuar nga Greqia. Athina do të pranonte ndërkohë një emër si Republika e Re e Maqedonisë, ose një emër me një dallim gjeografik.

Jap de Hop Shefer, pesimist: Fatkeqësisht, ndërsa ne flasim këtu, nuk ka ende një zgjidhje konkrete për emrin

Fakte për Aleancën

Çfarë është NATO?

Organizata e Atlantikut Verior u krijua në 1949-ën si një kundërpeshë ndaj zgjerimit të ndikimit të Bashkimit Sovjetik

Anëtarët dhe qëllimi

Përbëhet nga 26 vende anëtare, të angazhuara në mbrojtjen e stabilitetit, mirëqenies dhe lirisë së shteteve anëtare

Parimi kryesor

Në pikën 9 të "Kushtetutës" së NATO-s theksohet se sulmi ndaj një prej vendeve anëtare konsiderohet sulm ndaj aleancës

Misionet në rajon

NATO ka ndihmuar në përfundimin e konflikteve në Bosnjë dhe Kosovë, ndërsa ka penguar luftën civile në Maqedoni, në 2001

Misionet aktuale

Forcat e NATO-s janë të angazhuara në ruajtjen e stabilitetit në Kosovë e Afganistan - më i madhi operacion ushtarak, tokësor

Zgjerimi i NATO-s

Që nga krijimi, numri i anëtarëve të saj është rritur, nga 12 në 28. Një ndër parimet kryesore është ai i "Dyerve të Hapura"

Kapacitetet

Pas Luftës së Ftohtë, aleanca rriti kapacitetet e saj ushtarake dhe luftoi kërcënimet e sigurisë në rajon, por edhe më gjerë

Problemet

Operacione kyçe, si misioni në Afganistan, po kalojnë vështirësi si pasojë e mungesave të shpeshta në trupa dhe pajisje ushtarake

Anëtarët e NATO-s

Belgjika (vend themelues)

Lituania (nga 2004)

Bullgaria (nga 2004)

Luksemburgu (vend themelues)

Kanadaja (vend themelues)

Holanda (vend themelues)

Republika Çeke (nga 1999)

Norvegjia (vend themelues)

Danimarka (vend themelues)

Polonia (nga 1999)

Estonia (nga 2004)

Portugalia (vend themelues)

Franca (vend themelues)

Romania (nga 2004)

Gjermania (nga 1955)

Sllovakia (nga 2004)

Greqia (nga 1952)

Sllovenia (nga 2004)

Hungaria (nga 1999)

Spanja (nga 1982)

Islanda (vend themelues)

Turqia (nga 1952)

Italia (vend themelues)

Britania (vend themelues)

Letonia (nga 2004)

SHBA (vend themelues)

Aspirantët

Shqipëria

Shërbimi ushtarak është i detyrueshëm, por do të abrogohet në 2010, duke i hapur rrugë një ushtrie profesionale prej 14500 trupash

Kroacia

Ka abroguar shërbimin e detyrueshëm ushtarak këtë vit dhe synon të krijojë një ushtri prej rreth 16 mijë ushtarësh profesionistë

Maqedonia

Vendi ka abroguar shërbimin e detyrueshëm në vitin 2006, si dhe ka reduktuar ushtrinë e saj në 7800 ushtarë profesionistë


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›