E Diel, 1 Nëntor 2026

Çfarë samiti në Bukuresht...

Nuk ka taksi, nuk ka karta akreditimi, nuk ka audio... Mirë se vini në Rumani, vendin pritës të Samitit të NATO-s, 2008! Gazetarët që mbërritën për të ndjekur konferencën e aleancës mbrojtëse me 26 vende anëtare në vendin ish-komunist, që i është bashkuar NATO-s kohët e fundit, u shokuan në aeroportin e Otopenit, të martën, kur panë me sytë e tyre se nuk kishte asnjë taksi që mund t‘i çonte në qendër të Bukureshtit. Gazetarët u ftuan në fakt të ngjiteshin në një autobus dhe iu tha se mund të përdornin korsitë e lira VIP në superstradën për në qytet. Por nuk ndodhi kështu. Pasi u ndeshën me një katastrofë të vërtetë në trafik, në vendnumëro për rreth 90 minuta, disa gazetarë u ndaluan të hynin në qendrën e shtypit të samitit, sepse kompjuterët e mbingarkuar nuk mund të printonin kartat e akreditimit. Të tjerëve iu tha se aplikimet e tyre duhet të vazhdonin t‘iu nënshtroheshin kontrolleve të sigurisë. "Kthehuni pas dy orësh", iu tha një reporteri të agjencisë së lajmeve "Reuters". Disa gazetarë, edhe gjatë të mërkurës, nuk ishin pajisur me karta akreditimi, edhe pse kishin plot 24 orë që kishin mbërritur në Rumani. Si pasojë, ata e kishin të pamundur të hynin në samit. Por edhe ata më fatlumët, pasi hynë në pallatin gjigand të Parlamentit, me plot 3 mijë dhoma e salla, i ndërtuar si "Shtëpia e Popullit" nga ish-diktatori komunist Nikolae Çaushesku, zbuluan edhe një rreng të ri. Buzët e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës lëviznin në heshtje, ndërsa ai mbante një fjalim të rëndësishëm në një ambient tjetër në kryeqytet. Lidhja audio nuk punonte dhe kufjet nuk kishin mbërritur ende. Zëri i Presidentit Bush papritmazi kumboi në hollet e mermerta, kur i ishte afruar fundit të fjalimit të tij dhe gazetarët fare pak mundën të mësonin. Sa për kufjet, ato mbërritën një orë pasi Presidenti Bush kishte përfunduar fjalimin, ndërkohë që edhe lidhja e premtuar audio me sallën e konferencave, ku ministrat dhe personalitetet nga të dyja anët e Atlantikut po debatonin mbi çështjet e samitit, nuk u materializua. E në këto kushte, gazetarët u detyruan të merreshin vetëm me transmetimin "live" të imazheve të VIP-ave që ngjiteshin në makinat e tyre luksoze, ndërsa zbrisnin nga avionët në aeroport. Kjo, për ditën e parë të samitit, që konsiderohet më i rëndësishmi në historinë 59-vjeçare të NATO-s. Mbetet që të shpresohet se dy ditët në vazhdim, kur edhe priten vendimet e rëndësishme, do jenë ndryshe. Siç është bërë e ditur, në axhendën e samitit që ka mbledhur në Bukuresh liderë botërorë nga 26 vendet anëtare, por edhe më tej, janë përfshirë çështje me peshë si zgjerimi i mëtejshëm i Aleancës dhe përpjekjet për të mbledhur mbështetje për forcën e kryesuar nga NATO në Afganistan.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›