Greqia kthen 150 emigrantë shqiptarë
Policia greke ka riatdhesuar 150 emigrantë shqiptarë në 24 orë. Nga ana e palës greke ka nisur tashmë spastrimi i territorit nga shtetasit e huaj që qëndrojnë ilegalisht dhe pa dokumente ndërsa pjesa më e madhe e emigrantëve të huaj klandestinë janë shqiptarët. Sipas burimeve të Drejtorisë Rajonale të kufirit, brenda një jave kanë ardhur me mjetet e policisë greke të paktën 1000 persona ndërsa shifrat sipas të dhënave statistikore që mban kjo drejtori janë gjithnjë në rritje. Periudha e verës që favorizon edhe ikjet masive nga kufiri i gjelbër ka shtuar edhe fshesën greke kundër emigrantëve të paligjshëm shqiptarë. Kryesisht të rinj nga zonat veriore të vendit dominojnë numrin e të riatdhesuarve nga ana e palës greke, të cilët kapen në vendet e punës në ndërtim, ose që në momentet e para të shkeljes ilegale të kufirit të gjelbër kryesisht në zonën e Kozanit, Kosturit dhe Follorinës. Mjetet e policisë greke sipas të dhënave nga ana e policisë shqiptare në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës kohët e fundit janë paraqitur nga dy herë në ditë në kufi për të sjellë personat, të cilët pasi kapen mbushin qelitë greke e më pas i dorëzohen autoriteteve tona për veprime të mëtejshme.