Sezoni turistik, survejim rrugorëve
Qytetarët dhe policët do të jenë nën kontroll të rreptë për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor përgjatë gjithë sezonit turistik. Fakti bëhet i ditur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, e cila ka paralajmëruar për masa të ashpra ndaj policëve rrugorë që tolerojnë shkeljet e qarkullimit, sado të vogla qofshin ato. E gjithë kjo ka ardhur pas mbledhjes së një grupi pune, të cilët kanë marrë shkas edhe nga aksidentet e rënda që ndodhën në vitin paraardhës, por edhe gjatë fillimit të këtij viti. Kështu, një nga pikat e miratuara në këtë mbledhje, që u hodh për diskutim nga të pranishmit, ishin masat e rrepta ndëshkuese ndaj drejtuesve të mjeteve, të cilët nuk zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Pra, policia ka vendosur të tregohet më e ashpër me drejtuesit e mjeteve, deri në përfundim të sezonit turistik. Masa të tjera policore i përkisnin shtimit të shërbimeve të uniformave blu në çdo aks rrugor, apo vende problematike për burime aksidentesh. "Madje, kjo e fundit duhet të zbatohet me rigorozitet nga punonjësit e policisë, përndryshe do të ketë ndëshkim për të gjitha ato uniforma blu, të cilat nuk do të marrin masat ndëshkuese të duhura, duke toleruar shkeljet e konstatuara", u deklarua nga të pranishmit në mbledhjen urgjente, për sa u përket masave të marra për mbarëvajtjen e sezonit turistik. Më tej, në këtë takim, nga ana e drejtuesve të qarkullimit rrugor u diskutua në lidhje me shkaqet kryesore të aksidenteve të ndodhura, që nga sinjalistika, gjendja e rrugëve, mosrespektimi i rregullave nga ana e drejtuesve, ndëshkimet e marra ndaj drejtuesve të mjeteve për shkeljet e kryera, por dhe të punonjësve të policisë, të cilët kanë toleruar në shkeljet e konstatuara. Sipas informacioneve, efektivët e qarkullimit rrugor janë kthyer në problem parësor për kreun e Policisë së Shtetit, i cili ka paralajmëruar masa të rrepta për ta. Burimet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bënë të ditur se drejtori i Përgjithshëm, Ahmet Prençi, ka nxjerrë një urdhër për kontrollin pa ndërprerje të policisë rrugore. Sipas këtij urdhri, në kuadër të masave të marra për sigurinë dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik, duhet eliminuar toleranca ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor. Por, për këtë nuk janë ngarkuar efektivat e qarkullimit rrugor, por shërbime të tjera, të cilët do të survejojnë kolegët. Burimet thanë për "Shqip" se në bashkëpunim edhe me SHKB-në do të mbahen në vëzhgim të gjithë efektivat e policisë rrugore. Nëse do vërehen shkelje sado të vogla nga ana e tyre, do të merren masa të ashpra. Gjithashtu, kjo nuk është pika e vetme e urdhrit të shërbimit që ka lëshuar drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi. Sipas të dhënave, ky urdhër parashikon edhe survejimin e personave me precedentë penalë. "Meqë kohët e fundit ka pasur disa incidente në zonat turistike të Shqipërisë, nga aksidentet, te vjedhjet apo te krimet e tjera, shërbimet e policisë kriminale duhet të mbajnë nën vëzhgim gjithë personat me precedentë penalë", deklarohet në urdhrin e lëshuar. Më tej, Prençi kërkon që në kategorinë e këtyre personave të hyjnë edhe personat, që nuk janë dënuar apo arrestuar më parë për vepra të ndryshme penale, por edhe ata që janë shoqëruar qoftë edhe një herë të vetme nëpër komisariatet e policisë. Ndërsa për terrenin e zbatimit të këtij urdhri burimet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit deklaruan se do të përfshihen të gjitha zonat turistike, duke filluar që në Shkodër, Lezhë, Durrës, Kavajë, Vlorë dhe Sarandë. Madje, në lidhje me këtë urdhër, burimet policore nga këto qytete thanë se që dje kanë nisur të listojnë personat e lartpërmendur dhe këto ditë do të fillojë edhe ndarja e detyrave për agjentët e policisë kriminale. Ndërkohë, detyra janë dhënë edhe për policinë e kufirit, për parandalimin e trafiqeve. Gjithashtu, një sërë masash janë marrë edhe për shtetasit e huaj, të cilët mendojnë të kalojnë pushimet verore në Shqipëri.