Takimi Berisha-Karamanlis, çamët çështje e mbyllur
Kryeministri shmang çështjen çame. "Mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk ka asnjë çështje pezull". Kryeministri grek vë theksin tek minoritetet.
TIRANË- Nëse zyrtarët shqiptarë në këto 19 vjet nuk e kanë përmendur asnjëherë qartazi çështjen çame në takimet me zyrtarët e Athinës, por më të guximshmit e kanë trajtuar atë si çështje të pronave të shqiptarëve në Greqi, në vizitën e djeshme të Kryeministrit të Greqisë, Kostas Karamanlis, në Tiranë, ka një tjetër terminologji të përdorur.
"Mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk ka asnjë çështje pezull", - tha dje Kryeministri Sali Berisha, në deklaratën për shtyp me homologun grek.
Ndërsa në sitin zyrtar të Kryeministrisë, qëndrimi i kreut të ekzekutivit citohet në një tjetër formë, nga sa u shpreh realisht në mesditë, por me konkluzion të njëjtë.
"Konstatuam se nuk ka probleme midis dy vendeve dhe se ato janë zgjidhur nëpërmjet shpirtit të dialogut dhe bashkëpunimit",- thuhet në njoftimin zyrtar të Kryeministrit, i cili bashkë me Kryeministrin grek, Karamanlis, nuk pranuan pyetje të gazetarëve të shumtë nga të dy vendet, që prisnin përfundimet e bisedimeve mes shefave të qeverive.
Edhe në faqen e internetit të Këshillit të Ministrave, nuk njoftohet asgjë nëse është biseduar për çështjen çame, ndërsa këta të fundit, një ditë më parë protestuan dhe kërkuan që dy kryeministrat të diskutonin për problemin e tyre.
Përjashtimin nga agjenda e diskutimit të çështjes çame e kishin paralajmëruar, në fakt, një ditë para vizitës së Kryeministrit grek, edhe disa artikuj të botuar në gazetat proqeveritare greke.
Po ashtu, çështja "Bollano" duket se nuk është përmendur në komunikimet zyrtare të Karamanlisit dhe Berishës, ndërsa shefi i ekzekutivit të Athinës i ka mëshuar shumë herë, si në krah të Berishës, ashtu edhe në fjalën e mbajtur në Parlament, minoritetit grek në Shqipëri dhe të drejtave të tyre.
Berisha
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë të shkëlqyera dhe shumë të shëndetshme.
Në këtë kuadër, Kryeministri theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shtrirë në të gjitha fushat. "Greqia po inkurajon investitorët e saj të vijnë të investojnë në Shqipëri.
Ne jemi shumë të lumtur që, më shumë se 1 miliard dollarë amerikanë janë investuar në Shqipëri nga investitorë grekë dhe këto janë investuar në të gjitha fushat: telekomunikacion, shëndetësi, arsim, miniera, në çdo fushë.
Gjithashtu, jemi shumë mirënjohës për financimet e Fondit Helenik për disa projekte shumë të rëndësishëm, midis të cilëve është autostrada Konispol-Sarandë, si dhe disa projekte të tjerë të rëndësishëm. Vendet tona po punojnë bashkërisht, në mënyrë të suksesshme, për të luftuar krimin e organizuar", - tha dje Berisha.
Kryeministri shtoi se, një çështje e diskutuar në takim ishte edhe zgjidhja e problemit të pensioneve, si për emigrantët shqiptarë atje, ashtu edhe për qytetarët grekë, përmes diskutimit nga ekspertët e ministrive të jashtme të dy vendeve.
Karamanlis
Edhe Kryeministri i Greqisë, Kostas Karamanlis, ka siguruar se Greqia mbetet një fqinj i mirë dhe i besueshëm, një aleat brenda familjes së NATO-s dhe një mbështetës i kursit të Shqipërisë drejt institucioneve europiane.
Por, gjatë fjalës së mbajtur, Kryeministri grek theksoi se minoriteti etnik grek në Shqipëri përbën një lidhje shumë të fortë me rëndësi jetësore midis marrëdhënieve të dy vendeve respektive.
E ka theksuar këtë qëndrim edhe gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, ndërkohë që ka përmendur edhe kriteret që duhen përmbushur nga Shqipëria, me qëllim integrimin e saj në BE.
"Zgjedhjet sipas standardeve evropiane, aplikimi i ligjit, lufta ndaj korrupsionit, respekti i plotë i të drejtave të njeriut dhe minoriteteve, janë hapa shumë të rëndësishëm në atë drejtim",- tha Karamanlisi.
Kryeministri grek përsëriti angazhimin për të parë pozitivisht perspektivën e liberalizimit të regjimit të vizave, ashtu sikurse është vënë në dukje në agjendën e Selanikut, në vitin 2003.
Ashtu siç u përmend edhe nga Kryeministri Berisha për angazhim të përbashkët në fushën e energjisë, edhe Kryeministri i Greqisë theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Shqipërisë në krijimin e një tregu të përbashkët energjie në Evropën Juglindore, iniciativë kjo e shtetit helen.