Karamanlis takohet me Topin dhe Ramën
TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi dje një takim në mjediset e Pallatit të Brigadave, me Kryeministrin e Republikës së Greqisë, Kostantinos Karamanlis dhe delegacionin që e shoqëron.
Kryetari i Shtetit vlerësoi si shumë të mira marrëdhëniet e gjithanshme që ekzistojnë mes dy vendeve dhe popujve tanë dhe shprehu bindjen se dhe kjo vizitë dhe bisedimet që po zhvillohen me këtë rast, në frymën e miqësisë dhe vizionin e një bashkëpunimi me interes të ndërsjellë, do t'u shërbejnë konsolidimit dhe thellimit të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.
Në këtë kontekst, Presidenti Topi u shpreh se, "fryt i këtij bashkëpunimi të ngushtë dhe i frymës së mirëbesimit ishte edhe nënshkrimi sot (dje) i marrëveshjes mes të dy vendeve".
Presidenti Topi u shpreh i bindur në vullnetin maksimal të politikës dhe qytetarëve shqiptarë për të zhvilluar një proces zgjedhor të ndershëm, të lirë, të pakontestuar dhe sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare, duke e konsideruar këtë një tjetër sfidë, përballimi i plotë dhe me sukses i së cilës do të jetë një hap më tej, i fortë dhe i sigurt dhe një provë shumë e rëndësishme për ta integruar Shqipërinë në Bashkimin Evropian.
Intensifikimi i bashkëpunimit dypalësh në aspektin ekonomik u nënvizua si një nevojë dhe perspektivë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Po dje, Kryeministri i Greqisë, Kostas Karamanlis, zhvilloi një takim me Kryetarin e Bashkisë, Edi Rama. Ky i fundit, gjatë takimit, i dorëzoi në shenjë simbolike çelësin e Tiranës.