Greqia mbyll negociatat me privatët, sot rezultati

Kryeministri grek, Lukas Papademos
Greqia mbylli ofertën e shkëmbimit të bonove me kreditorët privatë mbrëmjen e së enjtes, pas skadimit të afatit të saj, e pasi qartësoi pragun e minimumit për arritjen e marrëveshjes, duke iu afruar kështu edhe një hap zhbllokimit të fondeve të paketës së dytë të ndihmës për vendin. Arritja e marrëveshjes së shkëmbimit të bonove me kreditorët privatë do të thotë se Greqia heq rreth 50 për qind të borxheve që u detyrohet atyre, duke i këmbyer këto me bono të reja në një periudhë 30-vjeçare. Heqja e 100 miliardë eurove borxhe për Greqinë plotëson një nga hendeqet financiare që asaj i duheshin për të bindur BE-në dhe FMN-në se vendi mund tia dalë të kapërcejë krizën e borxhit. Zyrtarë të qeverisë greke u shprehën optimistë për marrëveshjen. Ristrukturimi më i madh i borxhit sovran në histori i detyron aksionarët e bonove të humbasin rreth 74 për qind të vlerës së investimeve të tyre. Rezultatet e marrëveshjes do të deklarohen zyrtarisht të premten, para një video-konference me ministrat e Financës së eurozonës, të cilët do të diskutojnë mbi arritjet e fundit të negociatave të qeverisë greke dhe deri ku mund të çojnë ato. Komisioneri i BE-së për Ekonominë, Olli Rehn, u ka kërkuar aksionerëve privatë të bonove greke që ta nënshkruajnë marrëveshjen për shkëmbimin e bonove para skadimit të afatit. Rehn tha dje se nuk do të ketë ofertë më të mirë dhe theksoi se marrëveshja ka rëndësi jetësore për stabilitetin e eurozonës. Ministrat e Financës së eurozonës, në konferencën e së premtes do të bëjnë një bilanc të planit për faljen e borxheve Greqisë.