E Shtunë, 31 Tetor 2026

Del Boske: Vuajtëm, por e merituam vendin e parë

Trajneri i Spanjës, pas fitores 1-0 ndaj Kroacisë: Fakti që barazimi na mjaftonte nuk ishte avantazh por një peshë e madhe që ndikoi te futbollistët e mi.

Trajneri i Spanjës, Visente Del Boske e ka komentuar fitoren 1-0 ndaj Kroacisë, me një gol të shënuar dy minuta para fundit,  si një ndeshje shumë nervoze ku na u desh shumë mund për të fituar. Nuk krijuam shumë raste për shënim, pavarësisht se patëm një qarkullim të dendur të topit.

Kroatët reaguan mirë dhe na vunë në vështirësi. Spanja e mbyllë në vendin e parë Grupin C, pasi barazoi ndaj Italisë dhe fitoi dy ndeshjet e tjera me Irlandën dhe Kroacinë. Kampionët e Europës në fuqi shënuan gjashtë gola për të grumbulluar shtatë pikë.

Deri në fund të ndeshjes ishim në tension për kualifikimin dhe për vendin e parë. Kasiljas bëri një pritje shpëtimtare. Fakti që barazimi na kualifikonte ishte më shumë një peshë që ndikoi te lojtarët e mi, sepse një avantazh që duhej shfrytëzuar, – deklaroi Del Boske. – E kishim folur edhe me njëri-tjetrin dhe e kishim parashikuar atë që ndodhi.

Kroacia mendoi vetëm për tu mbrojtur por sa herë kishte hapësira tregohej e rrezikshme për portën tonë. Fakti që rezultati dhe e gjithë situata në grup ishte e hapur deri në fund ndikoi jo pak te paraqitja jonë. Më pas , Del Boske shtoi: Vuajtëm shumë, ashtu si në ndeshjen e parë ndaj Italisë, por e mbyllëm grupin në vendin e parë dhe kjo është një arritje e madhe.

Ky ishte objektivi i parë që i kishim vënë vetes. Kemi mbyllur një kapitull me tri ndeshje. Tani dëshirojmë të luajmë tri ndeshje të tjera për të fituar trofeun. I pyetur për kundërshtarin që do të preferonte në çerekfinale, trajneri i Spanjës shtoi:

Nuk luajtëm asnjëherë duke parë renditjen e Grupit D, por duke ditur se do të na duhej një fitore për të mos rrezikuar asgjë. Në këtë pikë nuk bën shumë diferencë, do të jenë tetë ekipet më të forta të Europës. Franca, Anglia apo Ukraina për ne është njëlloj, na duhet të fitojmë.

Del Boske i habiti të gjithë kur pas një ore lojë, edhe pse rezultati ishte 0-0, largoi nga fusha sulmuesin e vetëm Fernando Torres, për të aktivizuar një mesfushor të avancuar si Hezus Navas. Në fund të konferencës së tij për shtyp, Del Boske deklaroi:

Torresin e largova për ti dhënë frymëmarrje manovrës sulmuese dhe Hezus Navas është shumë i aftë në diçka të tillë. Na duheshin këmbë të freskëta, dhe fatmirësisht kemi në ekip lojtarët e duhur për tu përshtatur me çdo modul.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›