Greqia në dilemë mes ndihmës së BE-së dhe FMN-së
Greqia duhet të zgjedhë ndihmën nga BE-ja ose kreditë nga FMN-ja.
Hiri vullkanik ka influencuar edhe negociatat e Greqisë me ekipin trepalësh të FMN-së, Komisionit Europian dhe Bankës Qendrore Europiane. Ekipi që pritej të mbërrinte dje në Athinë, e ka shtyrë për tri ditë udhëtimin, për shkak të paralizës së transportit ajror. Sipas Athinës zyrtare, ekipi është ftuar nga kryeministri Jorgo Papandreu, për të diskutuar modalitetet e aktivizimit të mekanizmit të ndihmës, për të cilin ranë dakord liderët europianë në samitin e 25 marsit. Zoti Papandreu, në një intervistë për revistën amerikane, “Newsweek”, ka thënë se Greqia do të duhet të vendosë brenda javëve të ardhshme nëse do të kërkojë apo jo aktivizimin e mekanizmit. “Nuk shoh të kemi problem me pagesat, edhe në muajin maj, ndërkaq kjo nuk do të thotë se e kemi përjashtuar mundësinë e aktivizimit të mekanizmit”, ka thënë kryeministri grek. Ndërsa duke folur në fundjavë nga tribuna e parlamentit, zoti Papandreu tha se Greqia do të bëjë gjithë veprimet parapërgatitore që kërkon aktivizimi i mekanizmit.
Iran
Nis ndërtimi i një uzine bërthamore
Edhe pse presidenti Barak Obama ka bërë thirrje për pakësimin e armëve bërthamore, irani ndërmerr një hap që bie ndesh me këto thirrje. Në këtë vend bëhet e ditur se ka filluar puna për ndërtimin e një uzine të re për pasurimin e uraniumit, njoftoi një ndihmës i presidentit iranian. Ky hap i Iranit vjen në kohën kur bashkësia ndërkombëtare ka shtuar presionin mbi Teheranin rreth programeve bërthamore. Vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit po diskutojnë mundësinë e sanksioneve shtesë ndaj Iranit. Por, Irani së bashku me disa shtete të tjera pretendojnë se këto armë u shërbejnë thjesht për vetëmbrojtje.
Rusi
Medvedev synon pajtimin me Poloninë
Presidenti rus, Dimitri Medvedev, që mori pjesë në varrimin e presidentit Kazinksi në qytetin Krakov, sugjeroi se tragjedia e 10 prillit mund të ndihmojë në afrimin e popullit rus dhe atij polak më afër njëri-tjetrit. Më vonë u shpall se presidenti i përkohshëm i Polonisë, Bronislav Komorovski, e ka pranuar ftesën e Medvedevit, për të marrë pjesë në ceremonitë e 9 majit në Moskë, me rastin e shënimit të 65 vjetorit të fitores në Luftën e Dytë Botërore. Peshkopi i Krakovit, Stanislav Gjivish, e ka falënderuar Rusinë për ndihmën dhe mbështetjen e saj prej momentit të përplasjes së aeroplanit polak.
Afganistan
7 të vdekur nga tërmeti, dhjetëra të plagosur
Nga tërmeti, që goditi dje pjesën qendrore të Afganistanit, kanë humbur jetën së paku 7 vetë dhe janë plagosur më se 30 të tjerë.
Instituti gjeologjik i Shteteve të Bashkuara njoftoi se epiqendra e tërmetit me intensitet 5.3 shkallë të Rihterit, ishte në provincën Samargan, 190 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit Kabul. Ka shqetësime se numri i të vdekurve mund të rritet për shkak se qasja deri te njëri nga tri rajonet e goditura nga tërmeti, është i bllokuar nga dëmtimet. Banorët e zonës së prekur nga tërmeti janë parë nëpër rrugë duke kërkuar ndihmë dhe të tmerruar nga ngjarja e rëndë.
Izrael
Shënohet 62-vjetori i pavarësisë
Në Izrael, me manifestime të ndryshme në mbarë vendin është shënuar 62-vjetori i shpalljes së deklaratës së pavarësisë.
Në këto ceremoni janë përkujtuar ushtarët dhe civilët e vrarë në luftëra dhe në sulme terroriste. Në fjalimin e tij, presidenti Shimon Peres, tha se Izraeli dhe pjesa tjetër e botës, ballafaqohen me kërcënim nga programi iranian bërthamor dhe theksoi se askush nuk duhet t’i nënçmoj kapacitetet mbrojtëse izraelite. Në Uashington, sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton, me anë të një kumtese, tha se Shtetet e Bashkuara, aleati kryesor i Izraelit, “nuk do të hezitojë në mbrojtjen e sigurisë së Izraelit dhe në promovimin e së ardhmes së Izraelit”.
20 Prill 2010