E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqia në flakë dhe kaos

Mijëra të rinj protestojnë për vrasjen e një 15-vjeçari nga policia. Thyhen e digjen dyqane, grabiten banka e sulmohen komisariate policie. Çfarë ndodhi dje në qytetet kryesore greke

ATHINË- Kryeqyteti grek, Athina, është përfshirë në një valë të rrallë kaosi, dhune dhe shkatërrimesh publike, teksa mijëra të rinj kanë protestuar për vrasjen e një 15-vjeçari nga policia greke, dy net më parë. Luftë midis policisë dhe protestuesve, shkatërrime dyqanesh dhe makinash, bomba molotov, është pamja që ka bërë xhiron e botës gjatë ditës së djeshme, ku ishin përfshirë qytetet kryesore të Greqisë. Këto protesta, që filluan në mënyrë paqësore kanë degjeneruar më pas në luftë midis protestuesve dhe forcave policore, duke krijuar një ambient të ngjashëm me një luftë civile.

Shkaku

Shkak i këtyre protestave është bërë vrasja nga ana e një polici të një fëmije 15 vjeç, mbrëmjen e së shtunës. Protestat kanë filluar rreth orës 22.00 të së shtunës dhe pothuajse gjatë gjithë ditës së diel. Për një periudhë të gjatë, gjendja në qytetet kryesore, Athinë dhe Selanik ka dalë jashtë kontrollit nga forcat policore, duke u dhënë mundësinë protestuesve të prishin gjithçka që gjejnë përpara. Destinacionet kryesore të protestuesve kanë qenë komisariatet policore, si një formë për të shprehur mllefin e tyre ndaj këtyre forcave. Në këto protesta janë përfshirë rreth 1500 të rinj, të cilët kanë sjellë si pasojë shkaktimin e shumë dëmeve dhe si rrjedhojë bllokimin e rrugëve të qyteteve kryesore, duke e shndërruar Greqinë në një arenë lufte. Deri në orët e vona të natës, përllogaritjet e dëmeve që ka shkaktuar ky konflikt janë të shumta.

Dëmet

Janë plagosur 24 policë, janë arrestuar shtatë persona civilë, gjashtë prej të cilëve për vjedhje dhe një për armëmbajtje pa leje. Ndërsa dëmet materiale, duke i vënë zjarrin, kanë përfshirë 8 dyqane, 6 banka, 20 makina dhe 6 autovetura të forcave policore. Forcat e zjarrfikësve janë vënë në garë me kohën për të fikur zjarret e vëna për të mos zgjatur më tej incidentet dhe për të bërë të mundur zhbllokimin e rrugëve. Ndërsa sulme me gurë janë shënuar në 23 dyqane të tjera, 2 banka dhe 5 autovetura. Në lidhje me këto incidente të rënda është shprehur edhe ministri i Brendshëm i qeverisë greke, Prokopis Pavlopulos, i cili theksoi se e vërteta në lidhje me këto incidente dhe me vrasjen e të miturit do të zbardhet shumë shpejt. “Është e pamundur mos të ketë ndëshkime në lidhje me këtë incident”,- është shprehur Pavlopulos për mediat greke. Në lidhje me këtë incident, ministri dhe zëvendësministri i Brendshëm kanë depozituar pranë Kryeministrit Karamanlis dorëheqjen, si një akt moral. Por, Karamanlis nuk e ka pranuar këtë dorëheqje. Përveç qyteteve të Athinës dhe Selanikut, incidente të rënda kanë përfshirë edhe një pjesë tjetër të qyteteve, siç është qyteti i Janinës apo edhe i Patrës, qytetarët e të cilëve kanë sulmuar kryesisht komisariatet policore.

Vrasja e fëmijës nga policia

Pas konfliktit midis anarkistëve dhe policisë në një zonë të quajtur Eksarhia, në Athinë, ka mbetur i vdekur një fëmijë 15-vjeçar, mbrëmjen e së shtunës. I mituri u transferua menjëherë në spital. Mjekët dolën në përfundimin se vdekja e fëmijës kishte ardhur si pasojë e plumbit në kraharor të shkaktuar nga polici. Menjëherë pas incidentit, një pjesë e konsiderueshme e të rinjve që ishin prezent kanë nisur protestat në qendër të Athinës kundër këtij akti vulgar të policit. Gjatë gjithë natës së të shtunës, duke vazhduar edhe gjatë gjithë ditës së djeshme, protestuesit janë përfshirë në incidente të shumta, duke shkaktuar dëme materiale e duke u përleshur edhe me forcat policore.

Dëshmia e dy policëve për ngjarjen

Dy prej efektivëve të policisë greke ishin duke shkuar në një destinacion, ku kishin një thirrje për një incident të vogël. Gjatë rrugës sulmohen nga rreth 30 persona që kanë hedhur ndaj mjetit të tyre objekte të ndryshme. Në fillim ata janë larguar nga vendngjarja, por pak metra më tutje ata kanë ndaluar mjetin e tyre, duke u vënë në ndjekje të të rinjve. Kur të rinjtë panë që policët po vinin në drejtim të tyre, vendosën të përgjigjen në të njëjtën mënyrë. Atëherë, një prej policëve, vendosi të godiste kundër të rinjve me pistoletë tri herë, duke pretenduar në dëshminë e tij se dy herë ka goditur në ajër dhe një herë në tokë. Herë, e cila mund të ketë qenë fatale për vdekjen e 15-vjeçarit. “Mbas të shtënave, të rinjtë janë larguar me vrap, ndërkohë që u vu re se një prej tyre ishte shtrirë përtokë”,- tha polici që qëlloi me armë. Në atë moment ai u transferua menjëherë në spital, duke konstatuar se vdekja e tij ishte si pasojë e një plumbi në kraharor. Kreu i policisë greke, menjëherë pas incidentit ka reaguar, duke kërkuar arrestimin e tyre dhe duke kërkuar që të zbardhet totalisht çështja.

Arrestimi i dy policëve

Pas incidentit është bërë i mundur edhe arrestimi i dy policëve që konsiderohen si shkaktarët e kësaj tragjedie. Çështja i ka kaluar në ngarkim tre prokurorëve. Këta të fundit kanë bërë menjëherë gati shkresën për arrestimin e tyre. Në njërin prej policëve rëndon akuza për vrasje me paramendim, ndërsa polici tjetër që ishte prezent akuzohet për bashkëpunim në vrasje. Të menjëhershme kanë qenë edhe reagimet e të gjithë klasës politike në lidhje me këtë incident, kryesisht të forcës më të madhe opozitare PASOK. Ata dënojnë rëndë rastin e vdekjes së 15-vjeçarit, duke shprehur qëndrimin se, menjëherë sapo të mbledhin disa fakte, do t’ia dorëzojnë ato Prokurorisë. Qëndrime të ngjashme janë mbajtur edhe nga forcat e tjera politike në Greqi.

Bilanci

Në protesta janë përfshirë rreth 1500 të rinj. Nga përleshje me zjarr janë plagosur 24 policë, janë arrestuar 7 persona civilë, 6 prej të cilëve për vjedhje dhe një për armëmbajtje pa leje. Janë shkatërruar 8 dyqane, 6 banka, 20 makina dhe 6 autovetura të forcave policore. Ndërsa në sulme me gurë janë shënuar në 23 dyqane, 2 banka dhe 5 autovetura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›