Lehtësohen emigrantët, ashpërsohet lufta ndaj trafiqeve
GJIROKASTËR- Lehtësimi i emigrantëve shqiptarë që do të kthehen për festat e fundvitit nëpërmjet tri pikave kufitare në qarkun e Gjirokastrës do të ecë paralelisht me goditjen e trafiqeve të mundshme të të gjitha llojeve. Kështu kanë bërë të ditur drejtuesit rajonalë të Kufirit dhe Migracionit. Kështu, ndërsa afati i lëvizjes së lirë të emigrantëve në të dyja anët e kufirit ka filluar, masat janë përforcuar. “Në këtë kuadër janë marrë një sërë masash me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore, duke shmangur radhët e gjata. Shërbimi i ofruar për të gjithë qytetarët që hyjnë e dalin në pikat e kalimit të Stacioneve të Policisë Kakavijë, Çarshovë dhe Sopik ka qenë në nivelin e duhur. Për ditët në vazhdim, përparësi e Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin do të jetë përballimi me sukses i fluksit si në hyrje, edhe në dalje i shtetasveshqiptarë dhe të huaj, të cilët do të qarkullojnë nëpërmjet pikave të kalimit kufitar të kësaj drejtorie, me rastin e festave të fundvitit, duke u krijuar të gjitha lehtësirat ligjore me qëllim shmangien e radhëve të gjata dhe ofruar një shërbim sa më cilësor e të kulturuar”, ka bërë të ditur drejtori i këtij institucioni, Vasil Valera. Trafiqet e lëndëve narkotike dhe ato të qenieve njerëzore janë më të përhapurat në vijën e gjelbër të kufirit të qarkut Gjirokastër dhe vetëm përgjatë muajit nëntor është bërë e mundur goditja e dy rasteve të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, me një peshë prej 169 kilogramë marijuanë, ndërsa në pranga është vënë 1 person. Nga ana tjetër, përgjatë së njëjtës periudhë janë kthyer mbrapsht nga shërbimet e policisë kufitare shqiptare 291 shtetas, të cilët tentonin të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme, si dhe janë proceduar penalisht 2 shtetas për veprën penale “dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, me qëllim fitimin”. Përvoja e viteve të kaluara ka treguar se periudhat e fluksit shfrytëzohen prej trafikantëve dhe nisur nga ky fakt pritet një përforcim i masave antitrafik që mund të zhvillohen si në kufirin e gjelbërt, ashtu dhe në pikat e kalimit kufitar që ka në juridiksion kjo drejtori, si dhe parandalimi i kalimeve të paligjshme të kufirit të gjelbër me shtetin grek, duket se do të jetë një tjetër përparësi. Në funksion të këtij prioriteti do të vijnë operacionet e përbashkëta shqiptaro-greke, me afat të shkurtër kohor.