Librazhd, veterinerët shërbejnë si infermierë
Drejtori i ISKSH-së në Elbasan, Kamer Balla, konfirmoi faktin se ishin rreth 20 infermierë falsë të pushuar nga puna
LIBRAZHD – Kanë mbaruar shkollën për veterinerë, zooteknikë, ndihmësdentisë, ndihmësfarmacistë, kanë mbaruar thjesht shkollën e mesme, një kurs dymujor e megjithatë kanë shërbyer për vite me radhë si infermierë në zonën e Librazhdit dhe Gramshit. Shifrat zyrtare rrëfejnë se janë rreth 20 infermierë, të cilët janë “zbuluar” që shërbenin në këtë profesion, por pa pasur arsimin e lartë përkatës, në një kohë që rreth 150 infermierë me arsimin e lartë kërkojnë çdo ditë në dyert e drejtorisë rajonale një vend pune në përputhje me studimet që kanë kryer për katër vjet rresht.
Skandali
Drejtoria Rajonale e Sigurimit dhe Kujdesit Shëndetësor ka nxjerrë në dritë rastet e “infermierëve”, si dhe mënyrën antiligjore sesi pa shkollën përkatëse ata janë marrë në punë. Në fakt, janë rreth 20 infermierë që kanë shërbyer kryesisht në zonën e Librazhdit dhe të Gramshit të pushuar nga puna, pasi nga verifikimet rezultoi se ishin diplomuar për zooteknik, ndihmësdentist, me shkollë të mesme mjekësore, kurs fiktiv apo edhe falsifikim dokumentacioni. Rasti më flagrant i formës së punësimit ka qenë ai i vërtetimeve të lëshuara nga Reparti Ushtarak, me anë të të cilit vërtetohej se personi në fjalë kishte mbaruar një kurs kualifikimi si infermier në ushtri. Dy prej infermierëve kanë shërbyer mbi 10 vjet në zonën e Librazhdit. Po kështu, një tjetër vërtetim antiligjor ishte një certifikatë që lëshohej nga drejtuesi i Shëndetit Publik apo i ISKSH në Librazhd, ku deklarohej se personi në fjalë mund të punonte si infermier përkohësisht, edhe pse nga dokumentacioni tjetër në dosje vërtetohej se diploma ishte e ndryshme me profesionin që do të ndërmerrte ky person.
Rastet
M.Ç. ka punuar për rreth 10 vjet si infermier në Stëblevë kur profesioni i tij ishte zooteknik. H.K ka punuar si infermiere në Orenjë ndërsa dispononte vetëm diplomë të shkollës së mesme. R.K po kështu ka punuar si infermier në Poroçan për shumë vite,kur kishte diplomë si ndihmës farmacist. Po kështu një infermier në Lunik dispononte vetëm diplomën e ndihmës farmacistit. A.M. në Kukër të Gramshit dispononte vetëm diplomë të shkollës së mesme mjekësore me një tjetër profil. B.SH. ka shërbyer në Kukër, i diplomuar si ndihmës dentist. Rasti më i veçantë është F.K në Orenjë Librazhd, i cili ka filluar punë si infermier pasi ka paraqitur një vërtetim nga Reparti Ushtarak 3661 Librazhd, ku shënohet se ai ka përfituar specialitetin infermier në ushtri. Periudha kurkëta persona janë punësuar si infermierë ka qenë 99-2000-2001. Shumë prej tyre shoqërohen nga dokumentacione antiligjore. Drejtori i atëhershëm i ISHP-së apo Qendrës spitalore lëshonte certifikata apo vërtetime punësimi duke i cilësuar ata të aftë për rolin e infermierit provizor. Ky rol “provizor” ka zgjatur rreth 10 vjet.
Kontrolli
Në bazë të një udhëzimi të mbërritur në degën rajonale të ISKSH-së në Elbasan për verifikimin e të gjitha diplomave të personelit mjekësor, u kalua në sitë i gjithë dokumentacioni. Sipas drejtorit të ISKSH-së, Elbasan, Kamer Balla, ka pasur edhe sinjalizime për këto raste, gjë që solli vërtetimin e akuzave, sidomos për zonat e Librazhdit, por edhe të Gramshit. “Sapo filluam kontrollin e dokumentacionit, pati edhe nga ata që u larguan vetë nga puna, por pati të tjerë që u deshën këto verifikime që të largoheshin urgjentisht nga puna. Kemi rreth 15 raste të mospërputhjes së arsimit siinfermierë, persona që kishin përfunduar për ndihmës dentist apo veterinerë, por edhe me mungesë totale të arsimimit në profilin mjekësor, të cilët kanë shërbyer për vite me radhë si infermierë, sidomos në zonat e largëta rurale. Ka pasur edhe raste të tjera, por në vite shumë prej tyre kanë kryer arsimin përkatës dhe kanë rinovuar dokumentacionin”. E vetmja masë që është marrë ndaj infermierëve falsë, ka qenë largimi nga puna, pasi ata ishin emëruar nga drejtues të atëhershëm, të cilët i kanë cilësuar të aftë për këtë shërbim. Por edhe ndaj këtyre drejtuesve nuk është ngritur asnjë padi. Të dëmtuarit në këtë rast janë vetëm banorët e këtyre zonave, të cilët pa e ditur kanë shërbyer nga infermierë joprofesionistë që “kanë mësuar dorën” tek ata. Meqenëse ata vetë nuk ankohen, atëherë dhe institucionet përkatëse e kanë mbyllur me kaq këtë çështje. Vetë drejtori Balla thotë se ka pasur shumë infermierë të papunë që kishin mbaruar arsimin e lartë në këtë fushë. Me largimin e infermierëve falsë zëvendësimi me personel të kualifikuar ishte i menjëhershëm. Aktualisht në këtë institucion janë të regjistruar rreth 150 infermierë me arsimin e lartë që kërkojnë punë.