Shkon për të grabitur, vret të zotin e shtëpisë
KORÇË- Shkon për të grabitur, por teksa zbulohet nga i zoti i shtëpisë, nuk vonon që ta godasë duke i shkaktuar vdekjen. Policia e Korçës ka arritur të zbardhë vrasjen e 53-vjeçarit Ferat Zenuni, duke vënë në pranga edhe autorin e dyshuar të saj, 21-vjeçarin Zalo Xite, banor i fshatit Rehovë, vend ku edhe ndodhi vrasja. Nga të dhënat e para mësohet se djaloshi kishte shkuar për të grabitur në shtëpinë e viktimës, por më pas gjithçka kishte dalë jashtë kontrollit, duke shkaktuar vdekjen e 53-vjeçarit.
Teksa policia dyshonte për një ngjarje aksidentale, për një rrëzim të Ferat Zenunit, që mund të kishte shkaktuar vdekjen, hetimet, si dhe autopsia e kryer provuan se vrasja kishte qenë e qëllimshme. 24 orë pas ngjarjes, uniformat blu kanë vënë në pranga një shtetas, ndërsa kanë ndërtuar edhe skenën e krimit. Sipas policisë, 21-vjeçari Zalo Xite ka dashur të grabisë shtëpinë e Ferat Zenunit (i divorcuar). Ai ka hyrë në brendësi të shtëpisë njëkatëshe duke menduar se nuk ka pasur njeri, por është përballur me të zotin e shtëpisë. Pas kësaj, ka pasur një përleshje mes dy personave dhe Xite ka përdorur një levë hekuri që kishte marrë me vete, me të cilën ka qëlluar disa herë në kokë viktimën. Në fakt, Ferat Zenuni është përpjekur t’i shpëtojë vdekjes, duke e goditur dhe ai disa herë agresorin, por pa arritur mposhtjen e tij. Gjatë aktit të ekspertizës mjeko-ligjore kufomës i janë gjetur në trup shenja të shumta dhune dhe kryesisht në pjesën e kokës, të cilat i kanë shkaktuar dhe vdekjen. Grabitësi, njëherësh fqinj i viktimës, duket se ka menduar se Zenuni kishte në shtëpi një shumë të konsiderueshme të hollash. Ai e ka studiuar shënjestrën e tij, ndërsa i ka shkuar në shtëpi të shtunën.
Por dhe një fqinj i të ndjerit e ka dëgjuar grindjen mes vrasësit dhe viktimës, gjë e cila e ka çuar menjëherë policinë drejt pistës së dytë, e cila është konfirmuar në pak orë. 21-vjeçari i papunë, i akuzuar tashmë, është shoqëruar bashkë me disa persona të tjerë të fshatit Rehovë. Pasi janë ballafaquar shenjat e gjetura me ato të Zalo Xites, policia ka bërë arrestimin e tij. I riu fillimisht ka mohuar të ketë shkuar në shtëpinë e fqinjit dhe ta ketë qëlluar me levë hekuri, ndërkohë që pas marrjes për herë të dytë në pyetje ka rrëfyer se ka shkuar në shtëpinë e 53-vjeçarit dhe është goditur në befasi nga ky i fundit, duke bërë që ai vetë të përdorë levën e hekurit, e cila është gjetur e hedhur jo shumë larg vendit ku ka ndodhur dhe krimi.