Dëbora, tufat e ujqërve shfaqen në Librazhd
LIBRAZHD - Dimri i ftohtë që ka filluar, si dhe reshjet e dëborës që kanë rënë në lartësitë e maleve të larta të zonës së Librazhdit kanë filluar që të vënë në “lëvizje” ujqërit, të cilët po bëjnë kërdinë në tufat e deleve të banorëve të këtij rrethi. Si pasojë e të ftohtit të madh, kopetë e ujqërve kanë zbritur në zonat e ulëta të fshatrave të këtij rrethi, dhe duket se as prania e njerëzve nuk i tremb më. Në të kundërt, shumë fshatarë janë trembur nga kjo lukuni ujqërish. Ata shprehen se kanë parë ujqër të bardhë, që duhet të vijnë nga Maqedonia dhe që nuk druhen nga njerëzit. Sipas kryetarit të fshatit Vehçan, ShaqirZeneli, në fshat janë dëmtuar disa dele dhe në shumë raste, përveç dëmit që bëjnë në bagëti, është shtuar frika edhe për fëmijët që shkojnë në shkollë apo për ata që rrinë edhe me bagëti gjatë ditës, sepse ujqërit janë shumë të rrezikshëm dhe, kur sulmojnë, janë në kope. Sipas disave nga banorët, qarkullojnënga 2-4ujqër në ditë. Rreziku është për fëmijët, sepse ditën, sidomos gjatë kohës me shi dhe mjergull, kalojnë në korije dhe zona të mbuluara me pyll të dendur dhe i tremben ndonjë sulmi. Ndërkohë, ka pasur dëme në bagëti të imta në fshatrat Hotolisht, Vehçan, Librazhd Katund, Rrajcë, Dragostunjë, Sopot etj. Sipas Xhemal Muratit, atij iu dëmtuan katër dele për pak minuta, pa pasur mundësi të reagonte. “Po kullosja bagëtitë kur rreth orës 10:00 dëgjoj qentë që po lehnin dhe derisa u afrova, ujku m’i kishte prerë të katra delet. Isha i paarmatosur dhe nuk kisha se çfarë të bëja”, rrëfen Murati. Sipas kryetarit të Shoqatës së Gjuetarëve, Demir Leka, në këto raste ujqërit duhet të asgjësohen dhe asgjësimi i tyre duhet të bëhet me urdhër, pasipërbëjnë një rrezik jo vetëm për bagëtitë, por edhe njerëzit. Para viteve ’90, në rastet kur kopetë e ujqërve paraqisnin rrezik për bagëtitë dhe njerëzit merreshinin masa për asgjësimin e tyre me mjete të ndryshme, si: helmime ose ekzekutime me armë. Sipas barinjve, më të rrezikshme për ta janë ditët me shi dhe mjergull, ku edhe kontrolli i terrenit është shumë i vështirë, sepse ulet shikimi në distanca të largëta.