Muzika e jugut, mblidhen studiuesit greke dhe shqiptarë
Gjirokastër- Muzika popullore në qarkun e Gjirokastrës dhe në rajonin e veriut të Greqisë kanë qenë në qendër të simpoziumit shkencor “Urat kulturore muzikore në të dyja anët e kufirit”. Njohës të mirë të këtij zhanri muzike dhe folklorit në Shqipëri dhe Greqi, akademikë emuzikologë në referatet e tyre kanë folur për vlerat e përbashkëta të folkut në jug të vendit dhe zonën veriore të Greqisë, duke përçuar mesazhin se është kultura ajo që më së miri lidh popujt. Në qendër të kumtesave të mbajtura kanë qenë tiparet e përbashkëta dhe veçoritë kulturore ndërkufitare. Simpoziumi shkencor është organizuar në kuadër të projektit “Promovimi i veprimtarive kulturore artistike, garanci për identitet të përbashkët dhe bazë për integrimin ndërkufitar”, një bashkëpunim i shoqatës “Miqësia” dhe Këshillit të Qarkut Gjirokastër e financuar nga Bashkimi Europian, nëpërmjet programit Interreg III.