E Diel, 1 Nëntor 2026

Masakrimi i emigrantit, ende asnjë autor

HETIMI/ Familjarët mohojnë ndonjë konflikt të mundshëm të të afërmit të tyre 28-vjeçar brenda ose jashtë shtetit

BERAT- Vazhdon të mbetet pa autor vrasja e Erjon Shukës. Burime zyrtare të policisë pohojnë se po punohet intensivisht për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, ndërsa ekspertët po punojnë në dy pista: atë të një grindjeje të çastit, si dhe ndonjë konflikti të mundshëm trafiku njerëzor apo droge. Ndërkohë, nga ana e uniformave blu janë shoqëruar rreth 20 vetë për t’u marrë në pyetje. Nga ana e policisë u pohua se gjatë kontrollit viktimës i janë gjetur me vete 5 euro dhe 2 mijë lekë të vjetra shqiptare, çka hedh poshtë edhe pistën e vrasjes për grabitje.

Dëshmitë

Pas ngjarjes policia mori në pyetje banorë të fshatit Moravë. Ata bënë të ditur se në orët e vona të natës së të premtes kanë dëgjuar një zhurmë makine, e cila ka qëndruar në periferi të lagjes ku banojnë. Ndërsa për shkak të qetësisë absolute që mbizotëron në orët e vona në rrugët e këtij fshati, dëshmitarët thanë se kanë dëgjuar zarin e një njeriu që kërkonte ndihmë me sa fuqi që kishte. Fjala “Ndihmë!” është dëgjuar veç dy herë, që u pasua me disa klithma me zë të dobët. Dy krisma janë dëgjuar më pas prej tyre, ndërsa policia thotë se vrasja ka ndodhur pasi mbi viktimën është ushtruar një dhunë barbare, madje duke e zhveshur nga petkat e tij. Banorët pohojnë se kanë dëgjuar dhe zhurmën e madhe të makinës për shkak të shpejtësisë me të cilën largohej drejt daljes së qytetit.

Familjarët

Dje në mesditë të afërmit, miq dhe shokë përcollën për në banesën e fundit të riun 28-vjeçar Erjon Shuka. Tashmë në familje kanë ngelur dy motrat dhe një vëlla. Familjarët mohojnë që djali i tyre të ketë pasur konflikte me dikë, duke e cilësuar si “njeri të urtë dhe punëtor, që shikonte punën e vet”. Mësohet se Erjoni kishte qëndruar në Greqi për 14 muaj, por më pas është kthyer nga autoritetet e huaja, pasi ishte pa dokumente. Kthimi i tij të enjten është pasuar me daljen për të pirë një kafe me tre shokë të tij rreth orës 17:00. Lajmin për djalin familjarët e kanë marrë vesh rastësisht. Kur dëgjuan se po flitej përgjetjen e një kufome rreth 30-35 vjeç, u shkoi mendja tek djali që nuk ishte kthyer në shtëpi. Ishte i ati i Erjonit, Kozmai, së bashku me motrën e tij, të cilët e morën vesh të parët ngjarjen. Mësohet se Erjoni është larguar nga shtëpia vetëm me dhjetë euro në xhep, pasi kishte përshëndetur familjarët duke u thënë se do dilte për një kafe. Vëllai dhe dy motrat e viktimës pohuan në organet e policisë se vëllai i tyre nuk ka pasur probleme me asnjë person brenda apo jashtë shtetit. Bëhet e ditur se Erjon Shuka ka qenë i martuar pesë vjet më parë në Tiranë, martesë e cila nuk ka zgjatur shumë.

EKSPERTIZA

Nga ekzaminimi i bërë nga mjeku-ligjor në morgun e spitalit rajonal të Beratit rezultoi se viktima është qëlluar me dy plumba në distancë shumë të afërt. Njëri nga plumbat i ka përshkruar tejpërtej trupin, ndërsa tjetri, i cili ka qenë fatali, ka ngelur në zemër. Gjithashtu, nga ekspertiza rezultoi se i riu kishte dhe disa shenja të tjera dhune në të gjithë trupin, njëra në pjesën e poshtme të qafës dhe një tjetër në pjesën e poshtme të kurrizit. Ndërsa policia po punon për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, dje familjarët përcollën për në banesën e fundit të afërmin e tyre 28-vjeçar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›