Greqia, në prag të zgjedhjeve të parakohshme
Konservatoret grekë dhe udhëheqësi i tyre Kostas Karamanlis ndodhen në dilemë për të shpallur zgjedhjet e parakohshme parlamentare apo për të bërë një reformim të radhës të kabinetit qeveritar. Një situatë e tillë pason sondazhet e para negative të vjeshtës të cilat u japin socialistëve, ose PASOK-ut, një avantazh prej më shumë se 6 % ndaj Demokracisë së re në pushtet. Madje për herë të parë qysh prej vitit 2004 kur u zgjodh në krye të socialistëve, Jorgos Papandreu është preferuar nga shumica e grekëve si politikani më i përshtatshëm për kryeministër. Sipas testuesve të opinionit, më këtë avantazh të liderit të PASOK-ut, përballë kryeministrit aktual, ka ndikuar më së shumti pakënaqësia për mangësitë në përballimin e zjarreve të dhjetë ditëve më parë në Atikë. Por arsyeja kryesore ka të bëjë me pasojat e krizës ekonomike, që tashmë po ndihen përditë e më tepër në Greqi. Kështu në Greqi janë vendosur përsëri në rend të ditës skenarët për zgjedhje të parakohshme, që analistët nuk i përjashtojnë se mund të zhvillhen muajin e ardhshëm. Ndërkaq edhe brenda kampit qeveritar kjo sugjerohet si zgjidhja më efikase në kushtet e krizës ekonomike. "Ne socialistet e PASOK-ut jemi të gatshëm dhe te vendosur per nje menyre te re zhvillimi, te atij zhvillimi qe eshte i mundshem, zhvillimin ekologjik, te drejte dhe afer qytetarit", citohet të ketë thënë Papandreu. Ajo që i bën socialistët greke gjithnjë e më shumë të kërkojnë zgjedhje të parakohshme, është edhe fakti se në bazë të dy sondazheve të fundit, PASOK-u është afër maxhorancës absolute në parlament. Sipas burimeve nga qarqe të ndryshme politike, është tepër e mundur që Karamanlis të shpallë zgjedhje të parakohshme në fillim të muajit tetor. Ndërsa skenarët më optimistë, i japin jetë qeverisë së tij deri në marsin e ardhshëm, kur do të zhvillohen zgjedhjet presidenciale dhe ku është e sigurtë se konservatorët do të dështojnë përfundimisht.