E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milani, jo masave disiplinore për Sedorf

Nuk do të ketë masa disiplinore tek Milani pas vonesës së zëvendësimit të Gatuzos (i nxjerrë më pas me karton të kuq) me Sedorf në derbin e ditës së shtunë.
Për klubin kuqezi ky është një kapitull i mbyllur tashmë. Aq më tepër që Klarenc Sedorf e ka qartësuar situatën: "Nuk kisha veshur pantofla, por këpucë gjimnasti, që më ndihmonin të gjeja përshtatjen e duhur pas dëmtimit në pulpë që më la jshtë fushës për 40 ditë."
Më tej hollandzi shton: "Kisha një dëshirë të madhe për të luajtur, për t'u futur në ndeshje , për të qenë gati për çdo nevojë të trajnerit. Kur rezultati ishte 1-0, duhet të futej Ambrozini. Kur u dha penalltia, isha në tunelin e stadiumit, që është rreth 50 metra i gjatë dhe isha me këpucë gjimnastike dhe jo me pantofla, siç kishte shkruar dikush. Kjo është një fyerje e profesionalizmit tim."
Në fund, Sedorf shprehet: "Kam lexuar edhe që unë krijoj probleme dhe polemika. Për këtë, mjafton të pyesni trajnerin e ri se si sillem me të, si u solla në Siena, kur nuk më futi në lojë dhe folëm për këtë. Në karrierën time gjithmonë kam kërkuar të sillem si një profesionist që është përherë i gatshëm të japë më të mirën për skuadrën."

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›