Skemë e re në polici, krimet do të hetohen në komisariate
Etleva Delia
Brenda pak ditësh struktura e policisë së Tiranës pritet të ndryshojë, duke përforcuar më shumë punën në gjashtë komisariatet e kryeqytetit. Oficerët e disa sektorëve të hetimit që janë aktualisht në drejtorinë e policisë, do të rikthehen në komisariate sipas zonave. Sektorët e hetimit do të kthehen në skemën e katër viteve më parë, duke ndryshuar kështu modelin amerikan që ishte ndjekur në organizimin e sektorëve të hetimit në Drejtorinë e Policisë. Pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri të policisë, struktura e forcave të rendit duke lënë komisariatet në një rol të dorës së dytë dhe duke forcuar sektorët e seksionet e hetimit për të gjitha krimet, në drejtorinë e policisë së qarkut. Në kohën e “zhvendosjes” së sektorëve të hetimit nga komisariatet në Drejtorinë e Policisë, ky ristrukturim u përshëndet nga ministri i Brendshëm i asaj kohe, Bujar Nishani dhe ish-drejtori i Policisë së Shtetit Ahmet Prençi, të cilët shpreheshin vazhdimisht se modeli amerikan i policisë, po funksiononte më së miri në ruajtjen e rendit. Sipas vlerësimeve të kohës, ky model i kishte dhënë një imazh tjetër Policisë së Shtetit. Por gradualisht, edhe pse nuk deklarohet zyrtarisht, skema amerikane e organizimit të policisë të paktën në Tiranë duket se ka dështuar. Një fakt i tillë u bë prezent në analizat vjetore të punës së policisë për vitin 2009, ku nuk munguan vërejtjet nga drejtori aktual i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, por edhe nga ministri i Brendshëm Lulzim Basha. Në këtë mënyrë iu kërkua drejtuesve të policisë në qarqe që të punonin për një ristrukturim të policisë, duke kërkuar që skema e re të jetë më efiçente në parandalimin e krimeve. Një grup pune i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, mësohet se ka vendosur përfundimisht strukturën e re të Policisë së Shtetit. Ndryshimet që janë vendosur të bëhen, parashikojnë kthimin e strukturës së policisë në gjendjen e katër viteve më parë, me përqendrimin e punës në komisariate, ku do të rikthehen shefat e krimeve e të rendit së bashku me sektorët e hetimit për të gjitha krimet. Duke qenë se një zonë e caktuar njihet më mirë nga komisariati që e mbulon atë, qoftë nga problematika dhe kontingjentet kriminalë, është gjykuar se krimi mund të luftohet më mirë nga strukturat e komisariateve, sesa nga ato të drejtorive të cilat janë “më larg” komunitetit. Struktura e re megjithatë, nuk prek Seksionin e Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit, atë Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimit Ekonomik. Këto seksione pritet që të forcohen më shumë në drejtoritë e policisë dhe të asistojnë hetimet e rasteve në komisariate.
Lulzim Basha
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, disa ditë më parë gjatë një fjalimi në Konferencën Kombëtare për Sigurinë në Komunitet, parashtroi disa detyra të veçanta për rikonceptimin e punës së Policisë së Shtetit. “Të rikonceptojmë të gjitha komisariatet e policisë anembanë vendit jo si pika mbledhjeje, reparte, qendra shpërndarjeje, por në radhë të parë si qendra pritjeje për qytetarët me të gjitha lehtësitë ku qytetari të ndihet i mirëpritur nëse vjen për të denoncuar një shkelje apo një problem”.
Bujar Nishani
“Policia shqiptare ka përfituar nga bashkëpunimi me Misionin e prezencës amerikane ICITAP, nivele të larta të legjislacionit, struktura funksionale dhe të afta në Policinë e Shtetit, procese rekrutimi, transparente ligjore dhe trajnime mbi kurikula të përparuara. Sisteme moderne elektronike të këmbimit të të dhënave, lidhur me kontrollin e kufirit. Misioni ICITAP është një punë konkrete, një investim konkret, një partner shqip konkret. çdo cent i shpenzuar ka qenë eficent dhe rezultativ.”
Hysni Burgaj
“Do të rialokojmë burimet njerëzore në Policinë e Shtetit. Do të analizojmë të gjitha postet e punës në Policinë e Shtetit me qëllim plotësimin e nevojave reale që kanë shërbimet e policisë. Do rrisim numrin e punonjësve të shërbimit në komunitetit. Synojmë përmirësimin e performancës së policisë në të gjitha shërbimet në raport me kërkesat dhe standardet e Bashkimit Evropian, duke shpërndarë të gjitha forcat policore në raport të drejtë me numrin e popullsisë dhe tendencat kriminale në zona të caktuara”.