E Shtunë, 31 Tetor 2026

AAK e Haradinajt mbush 10 vjet



Në 10 vjetorin e themelimit të partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kreu i saj, Ramush Haradinaj tha se Kosova e pavarur udhëhiqet nga institucione të korruptuara e të komprometuara, por shtoi se ka ende shpresë për ta nxjerrë vendin nga gjendja e rëndë. “Kosova e pavarur udhëhiqet nga institucione të korruptuara dhe të komprometuara. Vetvetiu, misioni ynë është për ta nxjerrë Kosovën nga gjendja, në të cilën e kanë sjellë institucionet e sotme. Ky mision mund të bashkojë Aleancën, shoqërinë civile, njerëzit e politikës, qytetarët e vendit, miqtë, të cilët besojnë se Kosova ende është tregim i suksesit”, tha dje Haradinaj. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila pas zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit është kthyer si forca e tretë politike në Kosovë, vlerëson se vendi “është larg qëndrueshmërisë”. Ndërsa nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala, tha se premtimet që Kosova do të bëhej një shtet që do ta ndreqte atë që ishte prishur, nuk janë përmbushur. “Me udhëheqjen e sotme që ka, Republika e Kosovës po bashkëjeton gati me të gjitha problemet që i ka trashëguar ky shtet: akoma jemi pa integritet territorial, pa kufijtë e kontrolluar në veri të vendit, pa Rend Kushtetues dhe Ligjor në një të pestën e Kosovës, pa perspektivë të qartë ndërkombëtare, pa një udhërrëfyes për të hyrë në Paktin NATO dhe në BE, pa një plan të mirëfilltë të zhvillimit ekonomik që do të përmirësonte jetën e çdo qytetari”, tha ai duke shtuar se “qytetarët e Kosovës, sipas të gjitha analizave dhe statistikave, sot jetojnë më keq se para disa vjetësh. Ata janë sot më të pakënaqur sesa në vitet kur prisnin që Kosova të bëhej shtet”, theksoi Shala.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›