E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia për Kosovën

Greqia merr Kryesimin e Organiza
tës për Siguri dhe Bashkëpunim
në Europë (OSBE) në një kohë të
ndjeshme. Kjo ndodh në kohën kur
konsolidimi i sigurisë rajonale dhe globale
bëhet detyrë gjithnjë e më komplekse.
Aftësia e OSBE‘së për t‘iu përshtatur
këtyre vështirësive, kërkesave dhe
sfidave të vazhdueshme të sigurisë i ka
mundësuar asaj që të luajë rol kryesor
në ndërtimin e institucioneve
demokratike dhe avancimin e stabilitetit
rajonal në Evropën Juglindore.
OSBE është organizatë e veçantë, me
një mekanizëm që i ka shërbyer rajonit
në dy dekadat e fundit, pavarësisht
pengesave të shkaktuara nga luftërat
dhe konfliktet. Greqia ka vendosur prioritete
të caktuara me qëllim të shfrytëzimit
të këtyre mekanizmave. Dhe kjo
- së bashku me përvojën tonë të gjerë
dhe ekspertizën në rajon - nënkupton
se Kosova dhe i tërë rajoni do të përfitojnë
nga kryesia e radhës greke; një
kryesi rajonale.
Greqia beson fuqishëm se një e
ardhme e përbashkët evropiane, e sigurtë
dhe me prosperitet për gjithë
qytetarët e Evropës juglindore, është
perspektiva e vetme për rajonin tonë.
Plagët e së kaluarës - ndoshta pengesa
më e madhe drejt kësaj perspektive
- mund të shërohen vetëm përmes
bashkëpunimit, dialogut dhe partneritetit
bazuar në besim dhe respekt
reciprok: një partneritet bazuar në projekte
ndëretnike modeste e të vogla,
komunikim të drejtpërdrejt mes
njerëzve; vullnet të sinqertë për t‘u
përballur me sfidat e vogla të jetës së
përditshme me ndihmën e fqinjit tuaj.
Kjo është çka Greqia nënkupton
me integrim evropian. Ky është vizioni
ynë për të ardhmen e Evropës
juglindore. Si kryesuese e radhës e
OSBE-së, si partnere dhe fqinje, Greqia
do të qëndrojë pranë qytetarëve
të Kosovës në rrugën e tyre drejt realizimit
të këtij vizioni. Riorganizimi i
pranisë ndërkombëtare në Kosovë i
ka dhënë Misionit të OSBE-së këtu
një rol akoma më të gjerë - një rol të
ndihmuar nga marrëdhëniet e shkëlqyeshme
që janë zhvilluar gjatë 10
viteve të fundit me të gjitha komunitetet
dhe autoritetet vendore. Prandaj,
OSBE është në pozitë që të vazhdojë
të mbështesë përpjekjet e Kosovës
për të zbatuar parimet demokratike,
për të ndërtuar një shoqëri të
hapur, tolerante dhe shumë-kulturore
dhe për t‘iu përmbajtur praktikave
të qeverisjes së mirë. Ne i kushtojmë
rëndësi të veçantë mbrojtjes efektive
të të drejtave të pjesëtarëve të të gjitha
komuniteteve. Kujtesa institucionale
dhe ekspertiza e misionit mund të
shfrytëzohen për të avancuar reformat
në qeverisjen lokale, reformat
gjyqësore e legjislative. Së fundi, secili
qytetar do të përfitojë nga institucione
të mira. Qytetarët e Kosovës e
meritojnë mundësinë për një jetë më
të mirë. OSBE është këtu për t‘iu ndihmuar
në këtë përpjekje.

Shkrim autorial nga Kryesuesja
e Radhës e OSBE-së,
Ministrja e Punëve të Jashtme
të Greqisë, Dora Bakoyannis,
për të përditshmet kosovare me
rastin e vizitës së saj në Kosovë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›