Greqia përgatitet të marrë "masa të dhimbshme"
Masa të reja antikrizë pritet të ndërmeren për Greqinë. "Do të jenë masa të dhimbshme", por të nevojshme për të marrë ndihmat financiare të Bashkimit Evropian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Këtë lajm e bëjnë të ditur burime të qeverisë greke, duke saktësuar se nuk ka ende një marrëveshje në planin e ringritjes ekonomike. Ndërkohë sot, kryeministri grek do të takohet me industrialistë dhe sindikalistë për të njoftuar lëvizjet e ardhshme. Në vijim të përpjekjeve për programin e shpëtimit për Greqinë, edhe kancelarja Angela Merkel ka bërë thirrje për marrjen e vendimeve të shpejta. Pas takimit me Shefin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominique Strauss-Kahn në Berlin, Merkel deklaroi se është "e qartë që tani negociatat duhen përshpejtuar". Të dy theksuan së stabiliteti i euros është në lojë. Nisur edhe nga kritikat ndërkombëtare për një pozicion të lëkundur të Gjermanisë, kryetarja e CDU-së theksoi se askush "nuk do të shpëtojë". Sipas të dhënave të SPD-së dhe Ekologjistëve , Strauss-Kahn pas dyerve të mbyllura kishte folur se për konsolidimin e Greqisë nevojiten deri në120 miliardë euro për tre vjet. Kjo do të thotë për Gjermaninë, një kontribut financiar prej rreth 16 miliardë eurosh.