Greqia pritet të vërë veton për Shkupin në BE
Këshilli i Ministrave të BE-së, gjatë mbledhjes së nesërme, pritet të japë notë negative, të përcjellë me një "veto" të heshtur greke lidhur me Maqedoninë. Ky vendim është definitiv, mirëpo krerët e lartë të Komisionit Europian po shqyrtojnë mundësinë për të gjetur një vokabularë më të butë sa i përket përfshirjes së Maqedonisë në axhendën dhe raportin e BE-së, që do të dalë nga takimi i 7 dhjetorit. Shefi i diplomacisë sllovene, Samuel Zhbogar, ka paralajmëruar se nuk do të ketë asgjë konkrete dhe as që do të bëhet fjalë për dhënien e datës për Maqedoninë. "Nëse Greqia nuk jep mandat për negociata tani, atëherë duhet të japë patjetër garanci shumë solide se vendimi duhet të miratohet vitin e ardhshëm për dhënien e datës për fillimin e negociatave për Maqedoninë, ndërkohë BE duhet të gjejë mënyrën për të mbajtur entuziazmin në Maqedoni dhe të shmangë shqetësimin", theksoi Zhbogar. Ndërkohë, fikjen e shpresave për Shkupin zyrtar sërish e ka bërë Presidenti veteran grek, Karolos Papulas, i cili ka deklaruar se do të përsëritet Bukureshti për Maqedoninë në takimin e nivelit të lartë të BE-së. "Maqedonia po udhëheq politikë ekspansioniste ndaj Greqisë. Ata duan që të prezantohen si lider të kombit maqedonas, të cilët luftojnë për t‘u çliruar nga okupimi grek dhe bullgar", ka theksuar Papulas, duke kundërshtuar këtë qasje të Shkupit zyrtar. Burime për mediat ballkanike në Bruksel bëjnë të ditur se në takimin e së hënës pritet që të mos ketë as veto, por edhe as datë për fillimin e negociatave, mirëpo ata parashikojnë turbulenca politike në Maqedoni.