E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haga, procesi hyn në fazën e fundit

Kina është anëtarja e parë e përhershme e KS të OKB-së, e cila do të paraqesë argumentet para 15 gjykatësve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, të kryesuar nga japonezi Hisashi Ovada. Kina do të paraqitet nesër në mëngjes, kur në radhë ndodhen edhe Kroacia, Qiproja dhe Danimarka. Një ditë jashtëzakonisht interesante, sa i përket shkëmbimit të argumenteve pro dhe kundër pavarësisë së Kosovës, të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, do të jetë dita e martë kur në radhë janë: Spanja, SHBA-ja, Rusia dhe Finlanda. Pala kosovare pret një mbështetje të fuqishme, në veçanti nga Uashingtoni zyrtar, ndërkohë që Rusia dhe Spanja së bashku me Kinën, janë ndër tri vendet më të fuqishme që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës.

Gjatë javës së kaluar para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë argumentet e tyre në favor të pavarësisë së Kosovës i kanë paraqitur Shqipëria, Gjermania, Arabia Saudite, Austria dhe Bullgaria. Këto vende kanë pohuar se Deklarata e Pavarësisë është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Delegacioni i Prishtinës, i udhëhequr nga ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, pohon se ka besim të plotë te Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. "Gjykata në fund do të rikonfirmojë vullnetin e popullit të Kosovës për të qenë i lirë dhe i pavarur", pohon Hyseni. Pavarësinë e Kosovës e kanë njohur deri tani 63 vende, ndër të cilat edhe SHBA dhe 22 vende anëtare të BE-së. Kundër pavarësisë së Kosovës kanë argumentuar javën që shkoi Argjentina, Azerbajxhani, Bjellorusia, Bolivia dhe Brazili, të cilat janë të mendimit se me shkëputjen e Kosovës është shkelur integriteti territorial dhe sovraniteti i Serbisë dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare. Zëvendësshefi i delegacionit serb në Hagë, Sasha Obradoviq paralajmëroi se: "Ditët e ardhshme do të ketë delegacione të tjera që do të mbështesin pozicionin tonë juridik, por nuk po ndodh asgjë që delegacioni serb nuk e ka parashikuar".

Më 11 dhjetor mbyllet procesi i dëgjimit publik të 30 vendeve që janë paraqitur për këtë proces - ndër to, edhe të gjitha anëtaret e përhershme të KS të OKB-së. Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë pritet në pranverë.

Serbi-Kroaci

Paraqitja e Kroacisë në favor të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, pritet t‘i ftohë raportet mes Beogradit dhe Zagrebit, vlerësojnë zyrtarët serbë. Ndërsa zyrtarët kroatë kanë thënë, se nuk ka arsye të hezitojnë për të mbrojtur pavarësinë e Kosovës dhe këtë proces e shohin si "kusuritjen e fundit me të kaluarën e tyre". Beogradi zyrtar frikësohet se argumentimi i Kroacisë do të mund të jetë shumë domethënës, pasi Kroacia ishte pjesë e Federatës Jugosllave, respektivisht pjesë e shpërbërjes së saj - kur Beogradi kishte synuar t‘i sundonte vendet tjera të ish-RFJ-së. Sidoqoftë, Kroacia e sheh paraqitjen e saj në GJND në favor të pavarësisë së Kosovës, si kusuritjen e fundit me të kaluarën e saj. Dhe këtë e ka dëshmuar kohë më parë në një intervistë për mediat serbe, kryetari i këtij shteti, Stipe Mesiç. Presidenti kroat ka deklaruar se Kroacia nuk ka kurrfarë arsyeje që të hezitojë edhe para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të paraqesë arsyet se pse ka marrë vendim për njohjen e Kosovës. "Mendoj se do të ishte hipokrite që paraprakisht ta njohësh e pastaj të hezitosh të flasësh për këtë", ka thënë Mesiç, duke shtuar se kjo paraqitje e Kroacisë në favor të pavarësisë së Kosovës, nuk është e drejtuar kundër popullit serb.

Y.Pata

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›