E Shtunë, 31 Tetor 2026

Andis Harasani: Edi Rama po i feston “fitoret” veç në PowerPoint

03-07-2011 / Gazeta 55

Anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste dhe njëherazi deputeti i saj Andis Harasani, kritikon përsëri rolin e opozitës si forcë politike ekstra-parlamentare si dhe ndjeshëm jashtë jetës politike, shoqërore e sociale. Duke marrë shkas nga mbledhja e sotme e Asamblesë kombëtare të PS, ku s’u mor asnjë vendim serioz për të ardhmen politike të PS dhe as për raportet e saj me Kuvendin, Harasani sheh të arsyeshme të theksojë se opozita s’di se për çfarë feston, veç “festave” me PowerPoint të Damian Gjiknurit dhe Fatmir Xhafës. Në një status të publikuar në profilin e tij, të rrjetit social “Facebook”, Harasani thekson si domosdoshmëri rikthimin e PS-së në Kuvend, për përfaqësimin e qytetarëve, elektoratit socialist si dhe miratimin e ligjeve të rëndësishme për integrimin. Harasani shpreh shqetësimin e tij për mungesën e opozitës në Kuvend, duke e lidhur këtë me heshtjen e madhe të deputetëve të PS-së. Kjo sipas tij, çon në zero kërkesë-llogarinë ndaj qeverisë dhe pushtetit. “Opozita s’është në Kuvend, për të mbrojtur qytetarët, konsumatorët shqiptarë. “Opozita nuk flet, por feston ‘fitoret’ në PowerPoint”, tha Harasani, duke ironizuar mbledhjen e Asamblesë kombëtare të PS, ku u pretendua manipulimi i procesit elektoral të 8 majit, përmes ekspozimit të një video-projektori.
Edhe pse asgjë s’kuptohej, Damian Gjiknuri dhe Fatmir Xhafa, arritën të bindin Edi Ramën si dhe rifreskojnë imagjinatën e anëtarëve të Asamblesë së PS, se, Edi Rama fitoi në Tiranë (me minus 93 vota), por fitorja iu mohua. Gjithashtu, Harasani ka komentuar edhe deklaratën e Ramës, i cili tha se bojkoti i Partisë Socialiste ia arriti qëllimit. Deputeti socialist e cilëson këtë si qëndrim grotesk si dhe justifikim të paarsyeshëm, në një kohë kur PS humbi vetëm në Tiranë 20 mijë vota, ndërsa në rang kombëtar ishte 140 mijë vota pas koalicionit të djathtë, të kryesuar nga Partia Demokratike. “Qesharake deklarata që, bojkoti e arriti rezultatin! Për kë rezultat flitet? Humbjen e 20 mijë votave në Tiranë? Humbjen e 7 minibashkive? Humbjen e këshillit bashkiak në Tiranë? Apo 140 mijë votat diferencë?”, thekson deputeti opozitar. Nuk është hera e parë që deputeti Harasani apo edhe Kastriot Islami, vlerësojnë si të gabuar dhe rrugë pa kthim, bojkotin e institucioneve. Jo më larg se 7 javë më parë, më 8 maj, opozita dhe Partia Socialiste paguan haraçin e sabotimit të Kuvendit dhe mos dhënien e kontributit për integrimin Evropian të vendit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›