“Edi Rama kërkon të mbulojë humbjen e tij personale dhe partiake në 8 maj”

PD i përgjigjet Ramës
Partia Demokratike ka reaguar dje ndaj deklaratave të bëra nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili akuzoi shumicën parlamentare për manipulimin e zgjedhjeve në Tiranë si dhe kërcënoi Kolegjin Zgjedhor që të mos respektojë ligjin dhe Kushtetutën, por të japë vendimin në favor të tij. Zëdhënësja e selisë blu, Albana Mustafaraj përmes një deklarate për shtyp deklaroi se kreu i opozitës nuk ka bërë gjë tjetër, veçse ka bërë shantazh ndaj institucioneve të pavarura, Kolegjit Zgjedhor dhe KQZ-së. “Sot Rama, në një akt shantazhi dhe presioni të papranueshëm, ndaj Kolegjit Zgjedhor dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërmori serialin e tij të sulmeve bajate dhe fund e krye të bazuara në një realitet që nuk ekziston. Rama shpalli para asamblistëve të tij dhe mediave fitoren madhështore të 8 majit në mbarë vendin. Ai deklaroi se kjo fitore e ka tërbuar kundërshtarin e tij politik”, bëri me dije Mustafaraj. Më tej, Mustafaraj tha se, “Rama u përpoq sot në mënyrën më joserioze të mbulojë humbjen e tij personale dhe partiake në zgjedhjet vendore të 8 majit, duke shpallur disfatë për fitore”. Në vijim të akuzave të ashpra, zëdhënësja e PD-së, Mustafaraj vijoi më tej duke parashtruar një sërë pyetjesh, të cilat vënë në dukje se së pari, 140 mijë vota më pak të qytetarëve shqiptarë për partinë dhe koalicionin e majtë, krahasuar me aleancën qeverisëse që mori 17 për qind vota më shumë në mbarë vendin, përbëjnë disfatë të thellë reale tuajën dhe të koalicionit që udhëhoqe apo një fitore tuajën imagjinare pra fitore që nuk ekziston në realitet? Më tej, vazhdon zëdhënësja e PD-së, Mustafaraj se së dyti le të pyesim së bashku zotin Rama se, 47 mijë vota më pak në të gjitha bashkitë dhe komunat e vendit për ju dhe koalicionin që ju drejtoni, dëshmojnë një humbje të thellë elektorale apo fitoren që ekziston vetëm në imagjinatën tuaj, por jo në realitetin elektoral shqiptar? Mustafaraj ka vijuar sërish me pyetje duke thënë, se nëse 41 mijë vota më pak të kandidatëve për kryetarë bashkie dhe komuna, të koalicionit që udhëhoqe, janë humbja juaj e radhës, apo sërish fitorja juaj imagjinare që në realitet nuk ekziston? Ajo është ndalur gjithashtu tek 4 garat elektorale të Tiranës të humbura të gjitha personalisht nga Edi Rama. Zëdhënësja e PD-së, Mustafaraj tha më tej se në zgjedhjet vendore të 8 majit, 7 këshillat minibashkiakë që humbët, shënojnë humbjen e radhës tuajën personale që nuk ekziston, ndërkohë që 7 kryetarë të minibashkive që humbët në Tiranë janë humbja juaj personale apo fitorja juaj imagjinare. Ajo shtoi më tej pyetjen nëse Parlamenti i kryeqytetit që humbët më 8 maj, është disfata juaj e radhës apo fitore juaj personale imagjinare realisht e paekzistueshme? “21 mijë vota që humbët në Tiranë krahasuar me vitin 2007, dhe 93 vota më pak se kandidati demokrat Lulzim Basha në vitin 2011, është humbja juaj personale e radhës apo sërish fitorja në imagjinatën tuaj që në realitet nuk ekziston?”, nënvizoi Mustafaraj. Ndërsa lidhur me deklaratat se këto fitore madhështore të Ramës kanë tërbuar kundërshtarin politik të tij, Partisë Demokratike nuk i mbetet gjë tjetër veçse t’i urojë zoti Rama, edhe për shumë vite të tjerë, “udhë të mbarë nga fitorja në fitore të tilla elektorale”, përfundoi këtë deklaratë zëdhënësja e PD-së, në kundërpërgjigje të fakteve të manipulimeve të shprehura nga deputetë opozitarë.