Tatimet, plani për qershorin 101 për qind
Për muajin qershor administrata tatimore ka tejkaluar planin e mbledhjes së të ardhurave. Sipas zyrtarëve të lartë të administratës tatimore, plani për muajin qershor është realizuar në masën 101 për qind. Ndërkohë të gjithë bizneset dhe qytetarët mund të denoncojnë rastet e evazionit fiskal dhe shkeljet e tjera në numrin e gjelbërt (0800 14 14). Numri është vënë në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe synon uljen e shkallës së evazionit dhe akteve korruptive. Denoncimet mund të bëhen nga ora 08:00 deri në orën 16:00 dhe në numrin e gjelbërt do të përgjigjet një punonjës i administratës tatimore. “Të denoncohet çdo lloj rasti i evazionit fiskal që qytetarët shohin. Ne me këtë numër i afrojmë qytetarët, të cilët kur shohin tatim pagues të certifikuar nga shteti shqiptarë të thyejnë ligjet në marrëdhënie me publikun, duke filluar që te deformimi i çmimeve, deformimi i faturave të shitjes, mos lëshimi i faturave të shitjes, të mos hezitojnë të denoncojnë në numrin e gjelbërt i vendosur në dispozicion” – u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papjani.