Greqia, taktikë e re për kontestin e emrit të Maqedonisë
Athina po përgatit një taktikë të re në raport me Shkupin lidhur me kontestin e emrit.
Kjo është paralajmëruar nga Evangelos Kofos, historian dhe këshilltar i Ministrisë së Jashtme greke, gjatë një debati të organizuar në Athinë me temën “Hapat e mëtejmë në raportet e Greqisë me FYROM”.
Sipas Kofos, Greqia do të përdor taktizime të reja pas vendimit të difavorshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, e cila fajësoi Greqinë për shkeljen e Marrëveshjes së Përkohshme për emrin të vitit 1995, të arritur midis Shkupit dhe Athinës.
Diplomati grek me karrierë dhe pjesëmarrësit e tjerë në këtë konferencë kanë theksuar se taktika e re që do të ndiqet është vetëm heqja dorë nga Marrëveshja e Përkohshme, me të cilën i lejohej Maqedonisë anëtarësimi i saj në organizatat ndërkombëtare me emrin e saj FYROM.
Por, Athina zyrtare në Samitin e NATO-s të vitit 2008 në Bukuresht injoroi këtë marrëveshje dhe bllokoi anëtarësimin e Maqedonisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
“Me rëndësi tani është që të heqim dorë nga Marrëveshja dhe të fillojmë negociata dypalëshe për një marrëveshje të re ndërshtetërore në bazë të një rezolute relevante të OKB-së”, theksoi Kofos.
Ish-zëdhënësi i MPJ-së së Greqisë, Jorgos Kumucakos, deklaroi se heqja dorë nga marrëveshja nuk nënkupton një reagim refleksiv, por ai bëri me dije për arritjen e një strategjie të përgjithshme. Mbështetje për heqje dorë nga marrëveshja ka dhënë edhe diplomati dhe shefi i parë i zyrës greke në Shkup, Aleksandros Malas. Ai ka bërë edhe një propozim të ri për emrin duke thënë se bëhet fjalë për emrin “Republika e Maqedonisë së Re. / INA