Kupa e Shqipërisë, akti I gjysmëfinal
Kur ka hyrë në fazën më intriguese, Kupa e Shqipërisë zbeh Kategorinë Superiore. Sot në orën 16:30 do të luhen ndeshjet e para gjysmëfinale të trofeut të dytë më të rëndësishëm në vend, por që siguron "biletën" e fundit për një vend në Evropë. Vllaznia pret Dinamon kryesuese të Kategorisë Superiore, sfidë shumë interesante, që i është besuar "bilbilit" Kridens Meta. Ndërkohë, në Elbasan përsëritet dueli i skuadrës së Krenar Alimehmetit me Tiranën kampione të vendit në fuqi. Përveç pretendimit për të siguruar një vend në finale, sfida në "Ruzhdi Bizhuta" do të shihet si dëshirë për hakmarrje nga verdheblutë për ndeshjen në kampionat. Diçka më shumë se 10 ditë më parë Tirana ka zhvilluar atë që mund të cilësohet ndeshja më e bukur e sezonit bardheblu. Në disavantazhin e një goli dhe me dy lojtarë më pak, skuadra e Memës ka përmbysur rezultatin dhe ka fituar 2-1. Gjysmëfinalet e Kupës do të krijojnë edhe një ide më të qartë për objektivat e katër gjysmëfinalisteve në kampionat: përveç Dinamos që synon fitimin e të dyja trofeve, tre të tjerat shpresojnë vetëm sigurimin sa më të shpejtë të kupave të Evropës.